Derby, Mema: fitore me këmbë në tokë

SPORT


Tirana pret të dielën në mbrëmje Partizanin, në takimin e parë derbi të sezonit. Ekipi bardheblu duket gati  për këtë sfidë, i etur  për sukses, pasi prej pesë sezonesh, nuk fiton një ndeshje ndaj Partizanit. Trajneri i bardhebluve, Ardian Mema u shpreh në konferencë për mediat, se skuadra është gati dhe në formë të mirë. 

“Nga gjendja fizike, ekipi është shumë mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm nga ndeshja e fundit pasi ndaj Kukësit kaluam në eufori. Nesër duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk dua eufori! Në krahasim me vjet jemi më mirë por duhet ta tregojmë nesër. Duhet të kemi kujdes pasi jemi një skuadër e riformatuar dhe mund të ketë edhe oshilacione. Ndaj Kukësit mund të kishim fituar ashtu si edhe ndaj Teutës. Kampionati është i gjatë dhe do të kemi edhe shumë ndeshje para”, tha Mema.


Partizani është një ekip i mirë, të cilin Mema e vlerëson. Megjithatë, tekniku bardheblu shpreson që fitorja do të jetë për të dhe skuadrën e tij të dielën. “Partizani ka elementë të mirë brenda dhe ndeshjen mund ta vendosin edhe individët. Shpresojmë të fitojmë pasi kemi pesë vite. Kanë ndikuar përzgjedhja jo e mirë e lojtarëve dhe Partizani ka pasur lojtarë më cilësorë. Shpresoj që këtë radhë të jetë ndryshe”, shprehet Mema.

Sipas tij, humbja me Kukësin i bëri mirë skuadrës, për t`i ulur euforinë dhe të jetë me këmbë në tokë. “Normalisht ekipi duhet të jetë në ekuilibër dhe të mos humbë ndeshjen. Shpresojmë të kemi dinakërinë e duhur dhe t’i shohim gjërat me kujdes. Ekipi kërkon për ta fituar dhe ndoshta rezultati kundër Kukësit na ka bërë mirë për të parë gjërat me më shumë kujdes”, tha trajneri i 24 herë kampionëve të vendit.

Ardi Mema, si një bardheblu që e njeh mirë Tiranën, shprehet se nuk ndihet në presion, ndërsa tregon se nga ekipi kërkon disiplinë, ndërsa ndaj Partizanit kërkon të shmanget presioni.

“E rëndësishme është që të mos e marrim si sfidën e jetës por të jemi të qetë. Presidenti është përgjigjur por për çdo lojtar, është diskutuar nga të gjithë. kemi bërë një merkato të përbashkët. Nuk jam tip që kam presion. Unë jam brenda familjes dhe sfida ime nuk ka të bëjë me presionin. Shpresoj të bëj më të mirën për veten dhe për klubin. Janë gjëra që ndodhin shpesh. Edhe unë jam grindur në fushë por disiplina është e rëndësishme. Duhet që të jemi të bashkuar. Nuk jam i rëndësishëm as unë dhe as Osmani, por i rëndësishëm është grupi”, u shpreh Mema.




Skip to toolbar