Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar protestën e së dieles të opozitës duke vënë theksin te dhuna dhe te ndikimi që ajo ka në aspiratën e shqiptarëve për t’iu bashkuar BE-së.
Në një artikull për Shqipërinë, euractiv.com shkruan se “kriza politike shihet si kërcënim për ëndrrën e Tiranës që t’i bashkohet BE-së. Vendet anëtare do të vendosin javët e ardhshme nëse do të çelen negociatat me shtetin Ballkanik. Zhvillimet mund të jenë gjithashtu të dëmshme për Maqedoninë e Veriut, pasi procesi i vendimmarrjes ka të bëjë edhe me fqinjët”.
Më tej në artikull shkruhet se në protestën e së dielës të opozitës u plagosën 10 efektivë policie.
“Protestuesit dolën në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama që e akuzojnë për lidhje me krimin dhe korrupsionin në vend.
Pavarësisht kërkesave të policisë për të mos sulmuar policinë, protestuesit hodhën fishekzjarre, bomba Molotov dhe gurë në drejtim të policisë dhe institucioneve. Ambasada amerikane dënoi dhunën nga protestuesit duke thënë se përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos në sulm ndaj policisë është e papranueshme dhe jodemokratike”, shkruan ndër të tjera euractiv.com.