Evazioni fiskal, nën hetim pasuritë dhe pronat e bizneseve

AKTUALITET


Duke filluar nga viti i ardhshëm, tatimpaguesit që kanë prona të shumta ose i blejnë ato, por nuk i justifikojnë këto prona me të ardhurat zyrtare që kanë nga bizneset, do të jenë në radarin e institucioneve, pasi do të jenë të dyshuara për evazion. Prona të tilla si apartamente, toka, makina lukzoze, jahte, anije, vepra arti, aksione, kriptomonedha, etj do të mund të identifikohen përmes një Regjistri Qendror të Pasurive të Patundshme dhe atyre të Luajtshme, ashtu siç do të jetë lehtësisht i identifikueshëm dhe ndryshimi i pronësisë së tyre, raporton revista Monitor.

Nga 1 janari pritet të hyrë në fuqi ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ashtuquajtur ligji i fiskalizimit. Projekti synon që, duke nisur nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike. Sistemi është ndërtuar tashmë nga kompania kroate NEO, që fitoi një vit më parë tenderin prej 15 milionë eurosh i Sistemit të Menaxhimit dhe Kontrollit të Faturave.


Krahas sistemit të ri të faturimit, kushtet e tenderit parashikonin ndër të tjera dhe krijimin e një nën-sistemi, që do të mundësonte gjurmimin e pasurive të tatimpaguesve. “Qëllimi i këtij nënsistemi “Pasuria e tatimpaguesit” është të krijojë një sistem unik për monitorimin e pasurisë së tatimpaguesve, parandalimin e evazionit fiskal, rritjen e efikasitetit të mbledhjes së tatimit dhe automatizimin, përmirësimin dhe shumëllojshmërinë e procesit të mbledhjes së tatimit nga pasuria”, thuhej në dokumentet e tenderit.

Sipas kërkesave, rezulton se tatimorët do të arrijnë të marrin informacion real për pasuritë e tatimpaguesve, pasi ofertuesi duhet të krijojë “Katalogun e pasurisë të tatimpaguesit” si dhe një “Regjistër Qendror gjithëpërfshirës i Pasurive te Patundshme”. Në të do të përfshihet regjistrimi i ndërtesave dhe të tokës dhe pronarëve të tyre në Republikën e Shqipërisë. “Regjistri Qendror i Pasurive te Patundshme duhet të përcaktohet në mënyrë të tillë që një pjesë e të dhënave të pandryshuara të patundshmërive të përcaktohet si një njësi e veçantë që automatikisht do të lidhet me regjistrin e tokave me qëllim të marrjes së të dhënave të pasurive të paluajtshme”, thuhet në dokumentet e tenderit.

Regjistri Qendror i Pasurive te Patundshme ndër të tjera duhet të sigurojë një model transaksional të shitësve dhe të blerësve të pronave, vlerës së pasurive të paluajtshme dhe burimit të fondeve të blerjes së pronës./Monitor




Skip to toolbar