Skema e mashtrimit dhe evazionit fiskal që bëhej me transportin publik i ka kushtuar shtetit një dëm prej 1 miliard lekësh, dëm që fillon me prodhimin e biletave në shtypshkronjë, duke vijuar me TVSH dhe më pas me deklarimin e xhiros përfundimtare.
Në këtë skemë mashtrimi policia arrestoi 8 persona, mes të cilëve 5 prej tyre ishte bashkëpronarë të disa prej linjave të transporti publik më të frekuentuara në vend.
Falsifikimi i biletave të autobusit kishte mbi një vit që bëhej dhe se për përdoruesit e transportit publik nuk shpërndaheshin biletat origjinale të shtypura në shtypshkronjë, por ato të falsifikuara. Dëmi fillon që nga prodhimi i tyre ku për një biletë i paguhet shtypshkronjës 8.4 lekë, e më pas TVSH mujore si dhe në fund tatim fitimi i xhiros raporton Report TV.
Gjatë aksionit policia sekuestroi edhe 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.
Pas një hetimi një mujor, policia zbuloi skemën e mashtrimit duke çuar në arrestimin e Ferdinand Ibrahimi, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës, dhe djali i tij Anastas Ibrahimi, 20 vjeç, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar, Fatos Vrapi , 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti dhe bashkëshortja e tij Albana Vrapi, 51 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore dhe ortake (të dy janë bashkëpronar të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës); Evisa Vora, 33 vjeçe, banuese në Tiranë (ka në pronësi linjën e Porcelanit), me detyrë administratore; Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh; Aldi Duka, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobusësh; Klodian Qato, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomist në një shoqëri autobusësh.