I lirë ish-kreu i LSI

AKTUALITET


Armand Mamani, ish drejtori i Agjencisë së Trajtimit Social dhe ish kryetar i degës së LSI në Gjirokastër, për të cilin LSI një herë tha se nuk ka qenë kryetar dhe më pas përgënjeshtroi veten, është liruar nga qelia.

Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur “detyrim paraqitje” për Mamanin, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë, e cila vlerësoi të lehtë veprën penale për të cilën dyshohet ai dhe që nuk ka rrezikshmëri largimi. Masa e sigurisë u dha nga gjyqtarja Blera Çibuku, ndërsa prokuror ishte Sajmir Bahiti.


Mamani u arrestua në flagrancë pasi të dielën, nga kontrollorët e OSHEE u zbulua një subjekt privat duke shfrytëzuar energji elektrike nga godina e Drejtorisë së Agjencisë së Trajtimit Social që ndodhet në Pazarin Karakteristik. Për këtë, u arrestua edhe një nga pronaret e biznesit, e cila kishte deklaruar se energjia elektrike ishte lidhur me miratimin e Mamanit, i cili ka qenë kryetar i degës së LSI para dy vitesh në Gjirokastër.

Ai është shkarkuar edhe nga posti që mbante më parë në vitin 2015 si drejtor i spitalit të Gjirokastrës. Në atë kohë ai akuzohej për abuzime me detyrë dhe u shkarkua pas një kontrolli nga Ministria e Shëndetësisë.

Për çështjen e funksionit që ai ka mbajtur në parti, LSI deklaroi fillimisht se ai nuk ka qenë asnjëherë kryetar i kësaj dege në Gjirokastër, duke i cilësuar “Fake” informacionet e shpërndara në media. Por, pas publikimit të fotove me funksionarë të ndryshëm të LSI, kjo forcë politike u pendua për deklaratën e nxituar dhe përgënjeshtroi veten, duke deklaruar se ai ka qenë kryetar dege, por nuk është më, konkretisht atë që ishte raportuar edhe në media.




Skip to toolbar