Hapet tuneli i Llogarasë, shkurton kohën e udhëtimit drejt jugut të vendit

AKTUALITET


Hapet për qarkullim tuneli i Llogarasë, një vepër që do të ndryshojë totalisht udhëtimin e turistëve dhe qytetarëve në jug të vendit. Tuneli është një ndër veprat më të mëdha publike dhe pritet të ketë impakt të drejtpërdrejte në turizmin dhe ekonominë e vendit.

Me një gjatësi prej 6 kilometrash, kjo vepër infrastrukturore do të shkurtojë ndejshëm kohën e udhëtimit përgjatë rivierës shqiptare.

Tuneli i Llogarasë përbëhet nga dy tunele, ai kryesori dhe ai i emergjencës, të cilët lidhe me 11 dalje me njëri tjetrin. Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shpjegoi disa nga detajet teknike të veprës. “Tuneli që kemi në krahun tonë të djathtë është tuneli i emergjencës, por për të qenë emergjence duhet të ishte shumë më i vogël, pra në kushte teknike. Ne duke patur parasysh që këtu në dekadën e ardhshme do të ketë zhvillime shumë të mëdha turistike, kemi vendosur të gërmohet njësoj në të njëjtën madhësi me këtë tunel, ama do të fortifikohet kur të duhet për tu përdorur. Ka 11 dalje. Në çdo rast, në ditët kur këtu do të ketë ngarkesë trafiku ne do të jemi të gatshëm për të hapur tubin e dytë, pra është punuar dhe kur është dizajnuar nga kompania austriake dhe kur e kemi ndërtuar, e kemi ndërtuar me vizionin që të kthehet në një tub të dytë kur të jetë e nevojshme”, – tha Balluku. 

Kryeministri Rama nga ana e tij vlerësoi punën e bërë për këtë vepër, teksa shtoi se, “këtë tunel e kanë premtuar të tërë; Aeroportin e Vlorës e kanë premtuar të tërë. Në fund të vitit e mbarojmë dhe atë. Pastaj nisin testimet. Korridorin Blu do ta bëjmë. Ajo që patë nga Thumana në Kashar do jetë nga kufiri me Malin e Zi deri tek lidhja me autostradën në Fier. Kështu që do vijnë nga andej, në tunelin e Llogarasë”, – u shpreh Kryeministri.

Tuneli jo vetëm do të lehtësojë trafikun, por do të shkurtojë edhe kohën e udhëtimit Dukat – Palasë që bëhej për rreth 30 minuta, në 7 minuta.



Skip to toolbar