Historia e Besartit, fitoi gjyqin ndaj ministrisë. 23 milionë lekë dëmshpërblim për mungesë trajtimi mjekësor

AKTUALITET


Nuk ka marrë trajtimin e duhur mjekësor nga qendra shëndetësore “Nënë Tereza” duke i shkaktuar rëndim të gjendjes shëndetësore, qytetari me hemofili ka fituar gjyqin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe tani do të përfitojë 23 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim.

Kjo është historia e Besart Nezajt, i cili ia doli që pas 6 muajsh në përballje gjyqësore të fitojë të drejtën e dëmshpërblimit për shkak se qendra spitalore Nënë Tereza nuk i kishte siguruar trajtimin e duhur me ilaçe të nevojshme për një pacient që vuan nga hemofilia.


Shqipëria ka rreth 350 qytetarë që vuajnë nga kjo sëmundje e cila nëse nuk mjekohet çon në hemoragji të vazhdueshme me vite e deri në invaliditet të plotë të pacientit, deri në fundin tragjik të tij, atë të  humbjes së jetës. Kjo sëmundje nëse mjekohet mund të mbahet nën kontroll duke i siguruar pacientit jetë thuajse normale. Mjekimi i saj është i mundshëm dhe jo shumë i kushtueshëm, por duhet të jetë sistematik dhe në sasinë e duhur. Mjekimi bëhet përmes medikamenteve që quhen faktor VIII dhe IX i cili duhet të merret nga pacienti në masën rreth 12 mg në muaj përmes pilulave. Pikërisht kjo nuk është realizuar nga ana e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” duke u shkaktuar këtyre pacientëve dëme të mëdha, dëme për të cilat pacienti Besart Nezaj kërkoi dëmshpërblim në gjykatë dhe ia doli të fitonte gjyqin dhe të detyrojë spitalin të paguaj afro 23 milionë lekë të vjetra. Përmes këtij gjyqi është hapur rruga edhe për pacientët e tjerë që vuajnë njëllojë si Besarti.

“Sot, në dt. 31 korrik 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi pranimin e Padisë dhe shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror në masën 2 133 330 lekë të shkaktuar pacientit B. Nezaj, si rezultat i mohimit të trajtimit të duhur mjekësor. Hemofilia është një çrregullim i trashëguar i gjakut i shkaktuar nga mungesa faktorëve të koagulimit dhe godet në mënyrë të veçantë aparatin kockor-artikular-muskular por mund të shkaktojë edhe hemoragji interne. Pacienti u përfaqësua në procesin gjyqësor nga Shoqata “Together for Life”. Ndjekja e kësaj çështje është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërine – OSFA.”, shkruhet në vendimin e marrë nga Gjykata Administrative e Shkallës së parë Tiranë.




Skip to toolbar