Inceneratorët/ Rikthehet në burg Alqi Bllako

AKTUALITET


Apeli i Posacëm ka vendosur këtë të mërkurë të rikthejë në qeli, Alqi Bllakon, ish-deputetin e Partisë Socialistei perfshire ne aferen e inceneratoreve.

Vendimi i erdhi pas kërkesës së SPAK e cila ankimoi më herët lirimin e tij nga qelia dhe lënien në “arrest shtëpie”. Në fillim të tetorit, gjashtë muaj pas arrestimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre me aferën e inceneratorëve, Gjykata e Posaçme vendosi ta dërgonte në arrest shtëpie ish-deputetin Alqi Bllako.


Por SPAK tha se “nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar” dhe e ankimoi vendimin.

Prokuroria e Posaçme SPAK, e konsideroi të pamjaftueshëm shkakun e ngritur për lirimin e Bllakos nga qelia.

“SPAK ka qenë kundër lirimit në gjykatë, sepse nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar. Do bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit,” njoftoi të enjten koordinatorja e SPAK për marrëdhëniet me median, Xhuljeta Krasta.

Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të vitit 2022, pasi Gjykata e Posaçme caktoi më parë masën e “arrestit me burg” pas hetimit për kontratën koncesionare të Fierit me një vlerë të përllogaritur në 28 milionë euro.

SPAK e akuzon Bllakon se ka marrë përfitime të paligjshme nga kompanitë koncensionare të ndërtimit të inceneratorëve, ndërsa ka favorizuar këto kompani gjatë kohës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues”, si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Së bashku me Bllakon, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj 9 zyrtarëve të tjerë të lidhur me procedurat e koncesionit për inceneratorin e Fierit, përfshi edhe ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka i cili gjendet në burg që prej dhjetorit 2021.

Sipas SPAK, Bllako ka falsifikuar të dhënat për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall”, gjë që ka çuar në një rritje të kostos së shpronësimit me 16 milionë lekë. Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës.




Skip to toolbar