Indonezi, aborti dhe seksi do dënohen me burg

AKTUALITET


Indonezia, po përgatitet të miratojë ligjin, që do të cilësojë “krim” marrëdhënien seksuale jashtë martesës. Kështu, nëse kryen akt seksual me të dashurin apo të dashurën, pavarësisht konsensusit mdis dy partnerëve, në Indonezi do të quhet “krim”, dhe do të dënohet me burg e gjobitje.

Ligji është shumë pranë miratimit, ndërsa ekspertët e të drejtave të njeriut kanë shfaqur ankesa për të. Miliona njerëz me prejardhje të ndryshme sociale janë të alarmuar nga masat e reja që gjithashtu kufizojnë lirinë e shtypit me një prag gjithnjë e më të ulët të tolerancës ndaj kritikave për drejtuesit e shtetit.


Ligji do të prek jo vetëm moshën madhore, por edhe shumë djem dhe vajza adoleshente, 40% e të cilëve, sipas një studimi nga organizata jo qeveritare, “kanë pasur marrëdhënie seksuale paramartesore”. Ligji parashikon dënimin deri në 6 muaj burg apo 700 euro gjobë, sa paga mesatare e tre muajve për një indonezian.

Por si do të dërgohen para ligjit, ata që bëjnë “seks të paligjshëm” në Indonezi? Sipas mediave ndërkombëtare, ligji ka parashikuar se denoncimet mund të kryen nga të afërm të personave, apo kryetari i fshatit.

Gjithashtu, ligji i ri parashikon edhe një dënim me 4 vite burg për gratë që do të abortojnë, përveç rasteve të urgjencës mjekësore dhe të përdhunimit. “Shteti duhet të mbrojë qytetarët nga sjellja në kundërshtim me parimet e Zotit”, ka thënë Nasir Djamil, një politikan i partisë për “Drejtësi dhe Prosperitet” në Indonezi.




Skip to toolbar