Ishte në “arrest shtëpie”, 37-vjeçari kapet me drogë dhe armë

AKTUALITET


Policia e Tiranës njofton finalizimin e operacionit “Recidivisti”, ku u arrestua një 37-vjeçar, i cili u kap me armë e drogë, teksa kishte thyer dhe masën e sigurisë “Arrest Shtëpie”

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, mësohet se gjatë operacionit u gjet 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, teksa u sekuestrua dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.


”Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike kokainë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Recidivisti”.   Si rezultat, u arrestua shtetasi M. G., 37 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve. Shtetasi M. G. është ndaluar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Foto Xhavella”, dhe gjatë kontrollit fizik, i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë”,  njofton Policia.

“Pas verifikimeve ka rezultuar se 37-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.  Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike kokainë dhe një peshore elektronike”, bënë të ditur Policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.




Skip to toolbar