Gazetarja e News 24 Klodiana Lala ka thënë në një lidhje direkte për emisionin Real Story të gazetarit Sokol Balla detajet se çfarë është duke ndodhur në këto momente te Krimet e Rënda, ku pritet të jepet vendimi për ish ministrin Tahiri. Gazetarja Lala është shprehur se Tahiri që prej orës 15:00 që është paraqitur në ambientet e Krimeve të Rënda nuk ka lëvizur për asnjë moment dhe është në pritje të vendimit të gjykatës në gjendje ankthi. Vendimi për ish ministrin Tahiri pritej të jepej që në orën 16:00, por deri në orën 21:20, gjyqtarët ende nuk kanë dalë me një vendim për këtë çështje.
Për shkak të delikatesës së çështje dhe të hetuarit që është një ish ministër duket se për 3 gjyqtarët Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, verdikti bëhet edhe më i vështirë për tu dhënë.
I pyetur nga gazetari Sokol Balla se a do të shkojë në burg Saimir Tahiri nëse shpallet fajtor nga gjykata, gazetarja Klodiana Lala sqaroi se në fakt ligji e përcakton qartë këtë gjë. “Tahiri është një rast që është hetuar në gjendje të lirë” dhe sipas gazetares Lala “edhe nëse gjykata e shpall atë fajtor do të qëndrojë i lirë dhe nuk do të hyjë në burg, pasi çështja do i kalojë gjykatës së Apelit. Do të jetë Apeli ai që do të jap verdiktin përfundimtar dhe do të përcaktojë nëse Tahiri do të arrestohet me burg apo do të qëndrojë i lirë.
Gjithashtu Lala ka sqaruar se nëse gjykata e shpall të pafajshëm Tahirin, atëherë do të jenë prokurorët e çështjes që do të çojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit.
Në lidhje me prokurorët e çështje Lala tha se asnjëri prej tre gjyqtarëve nuk ka hyrë ende në procesin e vettingut, dhe vendimi që ata mund të marrin mund të jetë i ndikuar nga ky fakt.
‘Procesi po monitorohet nga përfaqësuesit amerikanë dhe 3 gjyqtarët ende nuk ka shkuar në procesin e vettingut. Ky vendim mund të jetë një test edhe për ata për të parë nëse do e kalojnë apo jo më vonë vettingun.”- tha Lala për Real Story
Që prej orës 16:00, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është duke pritur vendimin që gjykata e Krimeve të rënda do të vendos për 3 akuzat e ngritura ndaj tij. Tahiri i rrethuar nga gazetarë dhe simpatizantë të tij, nuk është larguar për asnjë moment nga Krimet e Rënda duke pritur me durim vendimin
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 12 vite burg për ish-ministrin, por me gjykim të shkurtuar kërkesa përfundimtare shkon në 8 vite. Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’./ Real Story