Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Pjesëmarrja u rrit me 2 pikë, në 8 orë votuan 30%

AKTUALITET


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri në orën 15:00, kanë votuar 29.48% për qind e qytetarëve me të drejtë vote, duke e rritur pjesëmarrjen me dy pikë përqindje, krahasuar me vitin 2017. Të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që po zhvillohen kanë 1.937.868 votues të regjistruar. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për kujdes nga të gjitha palët për mbarëvajtje të procesit.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë që të mundësohen zgjedhje të drejta dhe një proces i mirëfilltë. Përmes një konference për shtyp, shtabi zgjedhor i LDK-së ka shprehur shqetësimet për disa parregullsi dhe disa shkelje ligjore të cilat kanë ndodhur në disa vendvotime.


Zëdhënësja e shtabit zgjedhor, Doruntina Maloku, ndër tjera tha se LDK-ja ka një bashkëpunim  të shkëlqyer me të gjitha organet e zbatimit të ligjit në mënyrë që të mundësohet një proces i drejtë. “Ne bëjmë thirrje që gjitha institucionet e zbatimit të ligjit të ushtrojnë kompetencat e tyre që të organizohet një proces ferr dhe demokratik në të cilin respektohen në përpikëri vullneti i qytetarëve”, tha Maloku.

Duke i ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, ajo theksoi se qytetarët nuk duhet ta shesin besimin dhe votën e tyre sepse sipas saj duhet të mbrohen vlerat demokratike për të cilat sipas saj kanë luftuar. Kujtojmë se LDK-ja ka 2 mijë e 843 komisionarë dhe 5 mijë e 870 vëzhgues, të cilët do ta monitorojnë procesin e zgjedhjeve.




Skip to toolbar