KQZ miraton rezultatin. Zguri voton kundër. 30 qershori tani në dorën e Kolegjit Zgjedhor

AKTUALITET


Gati një muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, Komisioni Qëndror Zgjedhor ka shpallur të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve duke certifikuar kryebashkiakët fitues dhe duke i hapur rrugën nisjes së mandatit të tyre në 10 gusht.

Rezultati u miratua me 4 vota pro dhe 1 kundër që është ajo e kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri. Gjatë gjithë kësaj kohe Zguri ka votuar kundër çdo vendimi të marrë nga KQZ duke i qëndruar deri në fund besnik partisë që e ka propozuar në atë post, PD-së, pavarësisht se në bazë të ligjit anëtari i KQZ kur merr detyrën nuk mban anë partiake.


Më këtë vendim vuloset 30 qershori dhe përfundon saga e zgjedhjeve; ndërkohë që PD-së përveç votës kundër të Zgurit nuk i  mbetet asgjë të tjetër, ndëkohë që i bie edhe slogani që zgjedhjet janë nul.

Zëvendës kryetari i KQZ-së Denar Biba tha se më 30 qershor shqiptarët vendosën mes pazareve dhe kushtetutës.

“Shqipëria zgjodhi mes kushtetutës dhe pazareve. Kushtetuta iu mbivendos pazareve të vogla. Në këto zgjedhje ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër edhe personalisht kam ndjerë mbështetjen e partnerëve perëndimorë që e mbështetën Shqipërisë në këtë rrugëtim ku kryesorja është ndërtimi i shtetit”, tha Biba.

Ndërsa kryetari i KQZ-së Zguri tha se vota e tij kundër është për shkak të performancës së dobët të KQZ-së në zgjedhje.

“Zgjedhjet nuk janë vetëm një moment ligjor por edhe një ngjarje politike. Brenda zgjedhjeve përfshihen të gjithë zhvillimet. Është një formalitet pasi vendimi i sotëm është shoqëruar paraprakisht me një sërë aktesh të tjera. këto zgjedhje janë shoqëruar nga një konflikt i madh politik. Besoj se konflikti do të vazhdojë edhe pas. Por ky nuk është problemi im. Problemi im është se me votën, kjo merr një rëndësi tjetër. Vota nuk kthehet thjesht formale. Problemi im është se përmes votës sonë kemi dhënë edhe një notë për sjelljen e KQZ. KQZ në këtë proces zgjedhor ndërmjet standardit ligjor dhe arbitraritetit, për fat të keq KQZ ka zgjedhur të dytën. Vota për këtë proces mbetet në dorë të KQZ. E kam të pamundur të jap një notë kaluese. Unë do të votoj kundër sepse unë dua që kjo përformancë të mos kthehet në standard pune në të ardhmen. Unë nuk bija dakord me shumicën dhe shpresoj që kolegët e mi t’i thërrasin vetëdijes ligjore”, tha Zguri.

Pas vendimit këtij vendimi të KQZ-së, tani rezultati i 30 qershorit është në dorën e Kolegjit Zgjedhor që i vë vulën përfundimtare procesit të shumë debatuar zgjedhor.




Skip to toolbar