Kreu i KE, Tusk, të martën në Tiranë për negociatat

AKTUALITET


Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk viziton të martën Tiranën zyrtare në kuadër të një turi që do të zhvillojë në dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Në orën 15.00 ai do të zhvillojë një takim me kryeministrin Rama ku pritet të japë lajmin e mirë për negociatat. Që të dyja shtetet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, presin përgjigjen pozitive të Këshillit të Europës për çeljen  negociatave më 18 tetor për vazhdimin e procesit të integrimit në BE. Pritet që Tusk të jetë i pari që do të japë lajmin e mirë për këto dy vende, por mendohet se vizita e tij do të shoqërohet edhe me disa kushte shtesë.

Në një intervistë të mëhershme për të përditshmen malazeze Vijesti, komisioneri europian për Zgjerimin, në largim, Johanes Hahn shprehet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit. Për Shqipërinë, Hahn vlerësoi veçanërisht përparimin që është bërë me reformën në drejtësi, të cilën sipas tij Brukseli duhet ta shpërblejë.


“Jam krenar për reformat që janë realizuar në Shqipëri, veçanërisht me procesin e Vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve, që ka ngritur një themel të ri në procesin gjyqësor dhe mund të shërbejë si model për të tjerët. Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit”, është shprehur Hahn.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Hahn vlerëson marrëveshjen e Prespës që i dha fund mosmarrëveshjeve disa dekadëshe me Greqinë.

Edhe Gjermania dha sinjale pozitive për një përgjigje pohuese për negociatat gjatë takimit që kryeministri Rama zhvilloi të premten me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Pritet që vendimi pozitiv i Gjermanisë të ndikojë edhe tek vendet skeptike siç janë Franca dhe Holanda. Të gjitha gjasat janë që në 18 tetor Shqipëria të marrë përgjigjen pohuese për çeljen e negociatave me BE-në./realstory.al




Skip to toolbar