Petrit Çano kalon vettingun edhe pas hetimit shtesë

AKTUALITET


Drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit edhe pas hetimi një hetimi të dytë, administrativ që u ndërmor nga organet e vettingut. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici , Suela Zhegu relatore, Lulzim Hamitaj anëtar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, riçeli të martën hetimin administrativ për rivlerësimin e drejtuesit të Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano, pas ndërprerjes më datë 5 qershor. Prokurori Petrit Çano e ushtron funksionin e tij prej më shumë se 20 vitesh në rolin e drejtuesit. Ai ka drejtuar Prokurorinë e Vlorës në vitet 2000-2008 si dhe atë të Lushnjës në vitet 2008-2015. Me dekret të presidentit të Republikës, Çano është emëruar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë prej vitit 2015.


Gjatë seancës të martën, relatorja Zhegu pasqyroi hetimet shtesë të kryera nga Komisioni për qartësimin e disa rrethanave të reja lidhur me denoncimin e një shtetasi që pretendon se i është dëmtuar makina nga vajza e prokurorit, lidhur me pagesën e tatimeve për të ardhurat e përfituara nga një aktivitet privat prej bashkëshortes dhe një denoncim anonim për një çështje në Prokurorinë e Lushnjës, e hetuar në kohën kur Çano ishte drejtues.

Zhegu tha se ishin kryer disa verifikime lidhur me denoncimin e shtetasit L.B., i cili pretendon se vajza e prokurorit Çano i ka goditur makinën e tij me një mjet tip fouristradë që ajo drejtonte, teksa ishte i parkuar. Ky pretendim u kundërshtua nga Çano gjatë seancës dëgjimore më 5 qershor.

Relatorja Zhegu pohoi se Komisioni i kishte kërkuar informacion shoqërisë “Tendencë TRA.”, nëse pronari i fuoristradës Q.D. për të cilën denoncuesi pretendon se ishte përdorur nga vajza e prokurorit, kishte kryer shërbime apo riparuar dëme gjatë vitit 2017. “Shoqëria ka kthyer përgjigje duke sqaruar se është paraqitur vetëm për konstatim dëmi”, pohoi relatorja Zhegu. Ajo shtoi se i është kërkuar informacion shoqërisë Eurosig nëse ka pasur praktikë për kompensim dëmi për makinën e Q.D., por nuk ka rezultuar një gjë e tillë. Ndërkohë Drejtoria e Transportit ka konfirmuar se mjeti në fjalë i përkiste personit Q.D..  Komisioni i ka kërkuar informacion edhe Policisë së Shtetit nëse vajza e prokurorit Çano kishte qenë ndonjë herë e penalizuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia ka kthyer përgjigje se ndaj vajzës së prokurorit Petrit Çano nuk figuron asnjë gjobë. Relatorja tha se lidhur me këtë denoncim janë thirrur dhe pyetur vajza e prokurorit Petrit Çano dhe pronari i fuoristradës, shtetasi Q.D.. Ndërkohë, Komisioni ka gjetur se subjekti ka udhëtuar një herë për në Maqedoni me makinën e Q.D.  ku ka qëndruar tre orë. Zhegu sqaroi se është thirrur për t’u pyetur edhe pronarja e parkimit, por ajo nuk është paraqitur pranë Komisionit për të dhënë shpjegime.




Skip to toolbar