Kryeministri spanjoll: Europa ka nevojë për liderë si Mario Draghi

BOTA


Idetë e kryeministrit italian kanë qenë kyçe për sfidat me të cilat është përballur kontinenti.


E kam takuar Mario Draghin kur ishte president i Bankës Qendrore Europiane. Të gjithë e mbajmë mend rolin e tij kyç në mbrojtjen e euros, kur arriti të qetësonte tregjet kur tha se do të bënte “çfarëdo që të ishte e nevojshme” për të frenuar krizën.


Dhe ashtu ndodhi.

Unë kam pasur privilegjin të marr pjesë në shumë samite të Këshillit Europian. Unë gjithashtu zhvillova një takim të frytshëm dypalësh me të qershorin e kaluar në Barcelonë dhe së fundmi morëm pjesë në samitin e NATO-s në Madrid.


Reflektimet e tij inteligjente, krijuese dhe konstruktive kanë kontribuar gjithmonë që ne të arrijmë rezultate të mira në një atmosferë të mirë konsensusi – gjë që është aq e nevojshme në këto kohë krize.

Që nga viti 2020, Europa po përballet me sfida të jashtëzakonshme: fillimisht një pandemi që ndodh një herë në shekull, dhe tani, një luftë në tokën europiane, të cilën të gjithë mendonim se do të ishte e paimagjinueshme.

Dhe përballë të dyjave, mund të deklarojmë me krenari se ne, europianët, po përpiqemi të zgjidhin me sukses këtë situatë.

Roli i Italisë, një prej vendeve më të mëdha të Bashkimit Europian, ka qenë vendimtar. Disa muaj më parë, me kryeministrin e atëhershëm Giuseppe Conte dhe shtatë liderë të tjerë të BE-së, ne nënshkruam një letër ku bëmë thirrje për herë të parë  për miratimin e një instrumenti të përbashkët borxhi për rikuperimin nga kriza e rëndë socio-ekonomike e shkaktuar nga pandemia.

Dhe, gjatë muajve të fundit qeveria e Mario Draghit ka zbatuar Planin Italian të Rimëkëmbjes, i cili  si ai spanjoll  duhet të transformojë dhe modernizojë thellësisht ekonomitë tona.

Kjo është ideja e “NextGenerationEU”.

Mënyra se si do të zbatohet plani në Itali dhe Spanjë do të përcaktojë suksesin e përgjithshëm të NextGenerationEU, pasi ne jemi vendet anëtare që do të marrim pjesën më të madhe të fondeve.

Mario Draghi dhe unë jemi të vetëdijshëm për këtë, e po ashtu edhe kombet tona. Kur po luftonim kundër ndikimit të pandemisë, europianizmi i Marios ishte i dukshëm edhe në blerjen e përbashkët të vaksinave dhe miratimin e Certifikatës Dixhitale të BE-së për Covid.

Tani, me rritjen e çmimeve të energjisë, paqëndrueshmërinë e furnizimit dhe, më gjerë, rritjen e inflacionit të shkaktuar nga lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, ne po përballemi me një sfidë të re.

Dhe idetë e Marios kanë qenë kyçe në debatet tona. Italia dhe Spanja kanë udhëhequr rrugën, duke paraqitur propozime, të tilla si blerja e përbashkët e gazit dhe kufizimi i çmimit të gazit. Pas pandemisë dhe përballë luftës dhe pasojave të saj, BE-ja duhet të vazhdojë të përparojë në rrugën e rimëkëmbjes dhe transformimit drejt tranzicionit të gjelbër dhe digjital, duke ruajtur kohezionin social.

Kjo është rruga që po ndjekin qeveria spanjolle dhe ajo italiane. Dhe ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë, duke treguar vendosmëri dhe unitet mes 27, ashtu siç ka bërë deri tani Mario Draghi./ Përktheu: abcnews.al




Skip to toolbar