Miratohet harta e re gjyqësore

AKTUALITET


Harta e re gjyqësore është miratuar këtë të enjte në mbledhjen e qeverisë, njoftoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Tashmë, në vend do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, një gjykatë apeli me juridiksion të përgjithshëm dhe dy gjykata apeli të shkallës së parë. Manja tha se ndryshimet do të bëhen të ndara në disa faza.


“Miratimi i hartës së re gjyqësore është një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi. Harta e re gjyqësore është bashkëpropozim i Këshllit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë. Është produkt i një grupi ekspertësh të KLGJ-së, asistuar dhe nga ekspertë të Këshillit të Europës por dhe nga ekspertë të tjerë ndërkombëtarë”.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, gjykatat që do të mbyllen, nuk do të mungojë asnjë shërbim gjyqësore, qytetarët do t’i marrin të gjitha shërbimet.

“Harta e re gjyqësore do të standardizojë kohën mesatare të dhënies së vendimit, do të bëjë një shpërndarje të drejtë te gjyqtarët, do të ulë kostot e dhënies së drejtësisë”, u shpreh Manja.

Megjithatë, harta e re gjyqësore është kundërshtuar nga Dhomat e Avokatisë në të gjithë vendin. Avokatët, që vazhdojnë bojkotin e seancave gjyqësore, pretendojnë se Shqipëria ka dalë nga një model i dështuar ku më shumë se dy dekada më parë ishte vetëm një gjykatë Apeli ashtu sikurse parashikohet në hartën e re gjyqësore.

Me këmbënguljen se po tentohet të trukohen dëmet që shkaktoi Vettingu në dëm të qytetarëve, avokatët kanë paralajmëruar  përshkallëzim të kësaj greve.

KLGJ shkriu 18 gjykata duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjës dhe duke lënë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.

Kreu i Dhomës së Avokatisë akuzon se nuk u përfillën dhe se qytetarët nga drejtësia që nuk do aksesojnë dot do kalojnë ne vetëgjyqësi.




Skip to toolbar