Opozita do të mbajë protestën kombëtare të radhës më 25 maj në orën 19:00, ndërsa Kryeministria ka nisur përgatitjet për rrethimin e perimetrit të sigurisë dy ditë para. Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për sigurimin e institucioneve, që herën e fundit u dhunuan me bomba molotov, tymuese dhe bojëra nga protestuesit.
Por këto masa mund të rezultojnë të panevojshme. Të paktën këtë radhë. Një burim i lartë demokrat i konfirmoi me siguri Realstory.al se protesta e të shtunës do të jetë paqësore. Mund të jetë efekti ndërkombëtar, mund të jetë një sinjal që përtej retorikës së ashpër, edhe Basha është dëshpërimisht në kërkim të një pikënisje dialogu. Por kjo së paku pritet të prodhojë një të shtunë pa incidente, ose së paku “molotov free” në rrugët e kryeqytetit.
Gardhet metalike janë vendosur në të gjithë perimetrin e Kryeministrisë, shtyllat ku ndodhen të vendosura kamerat e sigurisë do të lyhen me graso, ndërsa dera e Kryeministrisë do të mbrohet me një fletë metalike për të shmangur flakët si herën e kaluar. Policia njofton se ashtu si në protestat e kaluara rreth 1500 efektivë do të jenë në krye të detyrës.
Por gjithsesi burimi i lartë nga Kryesia e PD i tha faqes sonë, se nëse protesta e të shtunës do jetë paqësore, krejt ndryshe pritet të jetë ajo e radhës në qershor. Me gjasë fushata do ketë filluar dhe me PD e aleatët jashtë zgjedhjeve, protesta e qershorit, data e së cilës nuk është përcaktuar akoma, pritet të jetë e ashpër dhe agresive. Megjithëse nuk konfirmohet një datë e mundshme është 29 qershori.
PD, e cila nuk merr pjesë ligjerisht në fushatë, nuk do mund të ndalohej të organizonte një miting edhe në ditën e heshtjes zgjedhore. Një protestë e fortë dhe agresive një ditë para zgjedhjeve, do ishte sinjali më i fortë që demokratët do të tentojnë të prishin procesin e një ditë më pas. Një skenar i panjohur, i frikshëm dhe i padëshirueshëm, sidomos nga ndërkombëtarët.
Gjatë një takimi ditën e enjte me qytetarët e Vlorës, kryedemokrati Basha përsëriti edhe një herë se zgjedhje të lira nuk mund të ketë pa një qeveri tranzitore dhe nuk do të ketë dialog politik pa largimin e Ramës.
“Edi Rama, për hir të pushtetit të tij po kërkon të asgjësojë demokracinë me atë që ka planifikuar më 30 qershor. Ne jemi këtu të vendosur dhe me një mesazh: nuk do të lejojmë më zgjedhje me krimin, nuk do të ketë më zgjedhje me hajdutët, vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri tranzitore, e cila do të garantojë që në zgjedhjet parlamentare të parakohshme.” – ka thënë Basha