Kryesia e PS diskuton strategjinë e fushatës, Gjiknuri: Nuk do të ketë aktivitete masive

Më të fundit


Kryesia e Partisë Socialiste zhvilloi një mbledhje këtë të premte. I pranishëm ishte edhe kryetari i selisë rozë, Kryeministri Edi Rama. Ai nuk dha një prononcim për mediat pas takimit, por ishte Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, ai që foli për gazetarët.

Gjiknuri u shpreh se takimi ishte organizativ ku të gjithë anëtarët e Kryesisë dhanë kontributin e tyre pasi u diskutua për strategjinë e fushatës dhe një kalendar aktivitetesh që shumë shpejt do të bëhen publike. Ai theksoi se PS do të respektojë afatet kohore dhe ligjore të fushatës.


“PS hyn e sigurt në një program të qartë, me koncepte të qarta, me një strategji të mirëtestuar gjithmonë në funksion të një rezultati besoj shumë të mirë që do të marrim në këto zgjedhje”, u shpreh ai.

Sa i përket tubimit të hapjes, Gjiknuri u shpreh se selia rozë ka menduar që të mos bëjë aktivitete masive, por takime të vogla që do të nisin javës tjetër.

“Ne kemi menduar që të mos bëjmë në fillim aktivitete të mëdha, masive. Nuk duam të bërtasim, duam t’ju tregojmë njerëzve çfarë pune dimë të bëjmë dhe çfarë është duke u bërë në Shqipëri. Kështu që kemi menduar një strategji tjetër e cila shumë shpejt do të bëhet publike, por natyrshëm ne do të fillojmë aktivitetin javën tjetër, thashë siç është në përputhje me Kodin Zgjedhor, dhe do të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla, duke përçuar mesazhin e paqes, e zhvillimit e ndërtimit të Shqipërisë në atë fazë që ka hyrë vendi dhe që vërtetë meriton të shikohet kështu”, tha Gjiknuri.

Sa i përket strategjisë ndaj kundërshtarit, Gjiknuri u shpreh: Tani rublat ruse ata janë vetë të zhytur. Në këtë rast shqiptarët janë të qartë dhe meritojnë t’ua përsërisim, por strategjia jonë, siç thashë, është e ndërtimit të së ardhmes, e progresit që ka bërë Shqipëria, e evidentimit kudo në të gjithë territorin e Shqipërisë të gjithë zhvillimeve pozitive që po ndodhi. Pra ne shohim strategjinë e sigurisë së këtij vendi, zhvillimit, kurse pala tjetër ju e dini që nuk ka strategji. Ka thjesht një slogan që është përmbysje, revolucion që nuk përkon me interesat e shqiptarëve në këtë moment historik ku janë.

Përveç shpenzimit minimal, Gjiknuri tha se PS do të përçojë mesazhe edhe duke mbjellur pemë.

“Kjo ka edhe një aspekt simbolik, përveç faktit që PS nuk do të shpenzojë në këtë fushatë. Do të shpenzojë në kufijtë minimal që kërkon ligji dhe duam të japim mesazhin, mbjellja e një peme është simboli i zhvillimit, i jetës, i progresit dhe Shqipëria ka hyrë në këtë fazë dhe duam që këtë mesazh të përçojmë tek qytetari. Ne shikojmë progres, ndërsa pala tjetër shikon vetëm zi sepse është i vetmi mesazh gjë që kanë mendje dhe vetëm atë dinë të përçojnë. Kontrasti është i qartë. Ne mbjellim një pemë, ata le të çirren për atë revolucionin e tyre imagjinar”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh se shumë shpejt do të bëhet publik edhe slogani politik ku shtoi se do t’i mëshohet mesazhit të progresit dhe vazhdimësisë së kësaj rruge që nuk duhet të ndalet.




Skip to toolbar