Bushati: Të reflektohen rekomandimet e OSBE

POLITIKË


Ditmir Bushati ka folur në lidhje me paketën anti-shpifje të qeverisë duke shprehur në një farë mënyrë rezervat e tij dhe duke theksuar se Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtë me OSBE në mënyrë që të paraqiten të gjitha rekomandimet e saj dhe të BE dhe të merren parasysh shqetësimet e medias. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Bushati la të kuptohet se ky ligj edhe mund të korruptohet apo të mos kontrollet dot dhe për këtë është ende në fazë diskutimi në Kuvend për të paraqitur rekomandimet në mënyrën më të mirë.  “Shqipëria do të jetë kryesuese e OSBE-së për 2020 dhe në këtë organizatë” tha Bushati “liria e medias është një prej shtyllave kryesore të punës së saj.”

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për ligjin antishpifje. Ka debate të shumta këto ditë në Shqipëri. OSBE-ja ka kritikuar disa herë këtë projektligj, por paralelisht kemi një intensifikim të sulmeve të kryeministrit Edi Rama kundër medias sidomos tani pas tërmetit. Mirëpo respektimi i lirisë së shtypit dhe medias është një nga prioritetet e OSBE-së të cilën Shqipëria do ta kryesojë vitin e ardhshëm. Pse gjithë kjo këmbëngulje nga ana e shumicës, nga ana e qeverisë për ta miratuar ligjin antishpifje?


Ditmir Bushati: Liria e medias është një prioritet për çdo shoqëri demokratike dhe në rastin në fjalë Shqipëria nuk bën përjashtim. Natyrisht që mund të ketë çështje të cilat kanë nevojë për t’u trajtuar për sa i përket kuadrit ligjor dhe rregullator edhe në fushën e medias, por vendi ynë mazhoranca jonë ka një traditë bashkëpunimi të mirë me zyrën e OSBE-së që ka një ekspertizë të specializuar për këto çështje. Prandaj dua të shpreh besimin që do të gjendet gjuha e përbashkët në mënyrë që të reflektohen plotësisht të gjitha rekomandimet e zyrës së OSBE-së në Vjenë dhe gjithashtu të merren në konsideratë përmes një procesi sa më përfshirës edhe shqetësimet e komunitetit të medias.

Zëri i Amerikës: Por duket se qeveria është e vendosur për të shtyrë përpara këtë projektligj me gjithë kritikat që i janë bërë…

Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që ne jemi në fazën e një diskutimi në Kuvend. Por nga ana tjetër siç ka ndodhur edhe në të shkuarën gjithnjë në finale ka mbizotëruar le të themi një sens me racional duke marrë parasysh rekomandimet që vijnë në këtë drejtim nga ana e OSBE-së nga ana e BE-së, por edhe faktin që siç ju me të drejtë e shtruat në pyetjen tuaj, se duke nisur nga 2020 Shqipëria do të jetë kryesuese e OSBE-së dhe në këtë organizatë liria e medias është një prej shtyllave kryesore të punës së saj.




Skip to toolbar