Liverpool është finalisti i parë i Champions League, duke përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë të Barcelonës. Të besuarit e Jurgen Klopp kanë bërë një ndeshje të çmendhr në “Anfield”, duke mundur 4-0 Barcelonën e për rrjedhojë duke u kualifikuar në finalen e madhe të këtij kompeticioni.
Nga krahu tjetër, Barcelona ka përsëritur të njëjtin gabim si një vit më parë, kur shpërdoronte rezultatin 3-0 ndaj Romës, teksa këtë herë kjo i kushton finalen.
Një ndeshje e madhe me ritëm të lartë, me atmosferën unike të krijuar nga tifozët vendas, të cilët i kanë dhënë dhe më shumë motivim lojtarëve të tyre. Kështu pas vetëm 7-të minutash lojë, Liverpool kalon në avantazh me Divock Origi, që realizoi golin e parë të karrierës në këtë kompeticion.
Barcelona mundohet të reagojë, por shpërdoron disa mundësi, ndërsa pjesa e parë nuk pati ndryshim rezultati. Në të dytën Klopp hedhë në fushën e lojës Georginio Wijnaldum, që realizon dy gola të shpejtë në minutën e 54′ dhe 56′, duke trefishuar rezultatin për Liverpool.
Goli i katërt erdhi në minutën e 78′ me autor Origi, që bën të shpërthejë festa në Anfield me Jurgen Klopp që nuk arrinë ta besojë as vetë këtë çmenduri të ekipit të tij.