Shorti i Championsit, City me fat, Interi gjen Barcelonën, Real Madrid kundër PSG, ja të gjitha grupet


Është hedhur pasditen e të enjtes shorti për fazën në grupe të Champions League. Grup ‘ferri’ mund të cilësohet Grupi F, ku do të përballen mes tyre Barcelona, Dortmund, Inter dhe Slavia Praga. Tre skuadrat e para të këtij grupi do të synojnë të kualifikohen për në fazën tjetër, por në fund vetëm dy prej këtyre ekipeve do të shkojnë më tej.

Grup jo i lehtë është dhe Grupi A, ku do të përballen Paris Saint-Germain dhe Real Madrid, ndërsa dy ekipet që plotësojnë katërshen e këtij grupi janë Club Brugge nga Belgjika dhe Galatasaray nga Turqia.


Në Grupin D, Juventus do të përballet me Atletico Madrid, Leverkusen dhe Lokomotiv Mosca, ndërsa kampionët në fuqi të Liverpool, do të përballen me Napolin, Salsburg dhe Gengk në Grupin E.

Në grupin B, Bayern Munich do të ketë kundër Tottenham, Olympiacos dhe Crvena Zvezda. Manchester Cityt i ka buzëqeshur fati, pasi në Grupin C, do të përballet me pretendent jo të vështirë si Shakhtar Donetsk, Dinamo Zagreb dhe Atalanta.

Grupi G do të jetë i përbërë nga Zenit, Benfica, Lyon dhe Leipzig ndërsa në Grupin H, Xhelsea do të përballet me Ajax, Valencina dhe Losc. Para se të hidhej shorti për 32 skuadrat pjesëmarrëse në fazën në grupe të Champions League, janë shpërndarë dhe çmimet për lojtarin më të mirë të sezonit të kaluar në katër pozicione.


Partizani humb betejën Champions, jo luftën në Europë


Partizani nuk ka mundur të kryejë misionin e pamundur. “Demat” kanë dalë nga  aventura në Champions League pasi janë mundur në transfertë nga Qaragab me rezultatin 2-0. 51` me portë të paprekur ka rezituar skuadra e drejtuar nga Franko Lerda, pasi gjashtë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, skuadra kampione e Shqipërisë ka pësuar golin fatal.

Ishte Ozobic që ka shënuar  me kokë pas një asisti perfekt dërguar nga jashtë zone nga Ailton. Ozobic, i gjendur brenda zonës dhe i pambuluar nga mbrojtja e “Demave”, ka mposhtuar Alban Hoxhën me një gjuajtje me kokë. Ndërkohë, loja ka qenë përgjithësisht e mmirë për Partizanin, që pavarësisht se nuk pati shumë kontroll të topit, ishte pothuajse i barabartë me Qarabag në rastet për shënim dhe gjuatjet drejtë portës.


Pas pësimit të golit, trajneri Lerda kryeu të gjitha zëvendësimet, duke forcuar lojën sulmues, por tentativat e të kuqve u mbyllën mjaftë mirë nga lojtarët vendas, të cilët shënuan dhe golin e dytë në fund të takimit, për të vijuar në turin tjetër të Champions League.

Ndërkohë, Partizani pas eleminimit nga Championsi, do të vijojë aventurën në turin e dytë të Europa League. Ndeshja e parë në Tiranë mes Partizanit dhe Qarabag përfundoi 0-0, ndërkohë që skuadra azere vinte si favorite për tu kualifikuar në këtë përballje.


Napoli zhyt Interin, zikaltërit rrezikojnë Champions-in!


Napoli i ka dhënë një goditje të fortë Interit, duke e mundur me rezultatin 4-1 në San Paolo. Skuadra e Ançelotit ka dominuar takimin e mbrëmjes ndaj zikaltërve, duke tundur plot katër herë rrjetën e tyre.

Ndonëse do duhej të ishte një ndeshje ku Interi do të merrte tre pikët, të cilat e mbanin praktikisht në vendin e tretë në renditje, ka ndodhur e kundërta. Skuadra e Spalletit është dorëzuar që në minutën e 15′ kur Zielinski tundi rrjetën për herë të parë.


Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, teksa në të dytën Mertens dyfishoi për Napolin. Ruiz shënoi dhe dy herë të tjera, duke u siguruar fitoren të tijëve. Nga ana tjetër skuadra e Spalletit vetëm sa ngushtoi diferencat në 4-1 me Icardin afër fundit, me argjentinasin që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Inter i bën punë vetëm fitorja ndaj Empolit javën tjetër, por do të jetë shumë e vështirë pasi edhe Empoli luan për mbijetesë.


Atalanta ngjitet në vendin e tretë, Juve shpëton në fund!


Atalanta ka marrë një pikë të rëndësishme në transfertë ndaj Juventusit, duke shpresuar ende për të arritur Champions-in sezonin e ardhshëm. Skuadra bergameze ka barazuar 1-1 ndaj Juventusit, me këta të fundit që e kanë fituar disa javë më parë kampionatin.

Miqtë kanë kaluar në avantazh në minutën e 33′ me Ilicic, që shfrytëzoi bukur një gabim të mbrojtjes vendase, duke shënuar nga shumë afër portës. Takimi është dominuar nga skuadra e Gasperinit, por Juve u zgjua nga fundi me Madzukic, që barazoi në minutën r 80-të, ndërsa bardhezinjtë e mbyllën takimin me 10-të lojtarë, pas ndëshkimit me të kuq të Bernandeskit.


Me këtë realizim, Atalanta është bërë skuadra e vetme e kampionatit italian që ka shënuar 100 gola në ndeshjet e këtij sezoni të luajtura në të gjitha kompeticionet. Pas fitores së sotme Atalanta ngjitet në vendin e 3-të renditjes, me një pikë më shumë se Interi që u mund thellë 4-1 nga Napoli.


Feronikeli shpallet kampion i Kosovës!


Feronikeli është Kampion i Kosovës për këtë sezon futbollistik. Ekipi nga Drenasi ka arritur të fitojë ndeshjen e fundit të kampionatit, duke mundur 1-0 rivalët e Prishtinës, të cilët gjithashtu ishin në garë për titullin në Kosovë.

Me titullin e sotëm, Feronikeli koleksionon tre kampionate të fituara në historinë e klubit. Tashmë skuadra bardhëjeshile do të përfaqësohet ne turet paraleminatore të UEFA Champions League.


Ky ka qenë një sezon ndryshe në futbollin kosovar, pasi lufta për titullin ka qenë më e madhe, me disa ekipe të cilat synonin titullin. Gjithësesi, lajmi mirë është se Kosova do të përfaqësohet sezonin e ardhshëm me tre ekipe në kupat europiane.


Rikthehet “pistoleta” e Piatek, Milani në Champions!


Milani ka mundut Frosinone-n 2-0 mbrëmjen e sotme, duke u ngjitur provizorisht në vendin e katërt të renditjes në Serinë A. Nëse Atalanta mundet nga Juventus, atëherë kuqezinjtë do të kenë mundësi të sigurojnë përfundimisht zonën Champions në javën e fundit të kampionatit.

Pjesa e parë është mbyllur në barazim pa gola, ndërsa në të dytëm miqtë patën mundësi të kalonin të parët në avantazh. Mirëpo Donnarumma ka pritur një penallti, e cila tronditi Milanin dhe u rikthye në lojë.


Piatek u rikthye pas shumë javësh agjërim me golin, duke zhbllokuar për Milanin në minutën e 57′. Më pas ishte Suso që dyfishoi për skuadrën e Gennaro Gattusos. Milani e mbrojti rezultatin deri në fund të takimit, duke marrë tre pikë të arta në luftën e Champions-it.


Damir Skomina do të gjykojë finalen e Ligës së Kampionëve, slloveni vendos rekord!


Slloveni Damir Skomina do të jetë arbitri kryesor i ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve mes Liverpool dhe Tottenham, që do të luhet në Madrid më 1 qershor.

Komiteti Arbitrave në UEFA ka vendosur sot pikërisht arbitrat përgjegjës që do të gjykojnë finalen e madhe të Madridit mes dy ekipeve angleze.


Skomina është arbitër ndërkombëtar prej vitit 2002, teksa me finalen në Champions, ai plotëson gjykimin e trefishtë të kompeticioneve të UEFA-s për klube në arenën Europiane.

Më herët ai ka gjykuar finalen e UEFA Europa League mes Ajax dhe Manchester United në 2017 si dhe Superkupën e Europës mes Chelsea dhe Atletico Madrid në 2012.

42-vjeçari ka qenë arbitër i katërt në finalen e Champions League mes Borussia Dortmund dhe Bayern Munich. Gjatë këtij sezonin, Damir Skomina ka gjykuar katër ndeshje në Champions League dhe dy në Europa League.

Në finale e Madridit, Skomina do të ndihmohet nga bashkatdhetarët e tij Jure Praprotnik dhe Robert Vukan. Zyrtari i katërt do të jetë Antonio Mateu Lahoz nga Spanja.

Ekipi i plotë i arbitrave në finalen e Champions League!

Arbitri: Damir Skomina (Slloveni)
Ndihmës Gjyqtarët: Jure Praprotnik, Robert Vukan (të dy nga Sllovenia)
Zyrtari i katërt: Antonio Mateu Lahoz (Spanjë)
Video asist Referee: Danny Makkelie (Holandë)
Asistentë të VAR: Pol van Boekel (Holandë), Felix Zwayer (Gjermani)
Jashtë VAR: Mark Borsch (Gjermani)


Përjashtimi nga Champions-i sezonin e ardhshëm, Manchester City reagon zyrtarisht!


Manchester City festoi titullin e radhës kampion në Premier League dy ditë më parë. Por në fillim të kësaj jave, klubi anglez u trondit nga një lajm që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare.

New York Times publikoi një artikull ku thuhej se Manchester City rrezikonte pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, pasi UEFA pritet ta dënojë klubin me një vit përjashtim nga kompeticionet europiane për shkak të shkeljeve të “Fair Play” Fianciar.


Mirëpo, sot, me anë të një reagimi zyrtar, klubi i Manchester Cityt ka përgënjeshtruar gjithçka, duke u shprehur se ata, klubi, janë duke bashkëpunuar me Trupën e Kontrollit të Financave të Klubeve.

“Raporti i New York Times, duke cituar “njerëzit që njihen me rastin”, është jashtëzakonisht shqetësues. Implikimet janë që ose besimi i mirë i Manchester City në CFCB IC është i gabuar ose procesi ICCB CF po keqinterpretohet nga individë që synojnë dëmtimin e reputacionit të klubit dhe interesave të tij komerciale. Ose të dyja”.

“Akuzat për parregullsi financiare janë krejtësisht të rreme, dhe një dëshmi gjithëpërfshirëse e këtij fakti i është dhënë ICCB CB”, thuhet në një pjesë të deklaratës së Manchester City.


Milan mund Fiorentinën dhe shpreson te hapi fals i kundërshtarëve (video)


Ashtu siç kishte premtuar trajneri Gennaro Gattuso, Milani ka dalë me tre pikë nga fusha e Fiorentinës, duke rritur shpresat për një vend në Champions sezonin e ardhshëm.

Kuqezinjtë fituan me rezultatin 1-0, me tre pikët që e ngjisin përkohësisht Milanin në vend të pestë, me vetëm një pikë më pak se Interi që mban vendin e katërt, por ka ende një ndeshje më shumë për të luajtur.


Në këtë takim Milani kishte disa mungesa si: Paqueta, Biglia, Calabria apo Caldara. Në krahun tjetër Gattuso ka sheshuar konfliktin me Bakayoko-n, i cili e nisi si titullar takimin e së dielës mbrëma.

Hakan Calhanoglu në fund të pjesës së parë shënoi golin e parë dhe të vetëm të takimit, duke i dhë tre pikët skuadrës së tij.

Fiorentina, që ende nuk ka asnjë fiotre nën drejtimin e trajnerit Montella, u mundua të bënte diçka në pjesën e dytë, por nuk arriti të shfaqte rrezik, pasi Milan u mbrojt mirë dhe kontrolloi si duhet.


Milani në Champions, Gattuso: Është koha të fitojmë tre ndeshjet e fundit!


Gennaro Gattuso ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Fiorentinën. Trajneri i kuqezinjëve ka folur për shumë tema, duke nisur nga sherri me Bakayokon në ndeshjen ndaj Genoas. “Unë nuk mbaj mëri me asnjë”, tha Gattuso në lidhje me Bakayokon.

“Ne duhet t’i bëjmë të gjthë lojtarët të ndjehen të sigurt. Nuk kam nevojë për përkëdhelje, nuk më pëlqejnë karizmat. Më pëlqen që ndonjëherë të qëndroj në ndonjë “bordello”, nuk ndihem si i huaj”, tha fillimisht Gattuso duke ashpërsuar tonet në konfernecë për shtyp.


Duke folur për arritjen e Champions League sezonin e ardhshëm, Gattuso u shpreh: “Duhet të mendojmë vetëm për veten tonë, nuk duhet të humbasim energji duke parë çfarë ndodhë në fushat e tjera. Do të ndieja keqardhje nëse do të humbnim pikë rrugës. Tani duhet të mendojmë vetëm për të arritur vendin e katërt”, tha trajneri i Milanit.

Piatek nuk po kalon një moment të mirë me Milanin, teksa prej kohësh nuk ka gjetur rrjetën. Gattuso shprehet se ai duhet të jetë i qetë dhe gati për ekipin: “Nuk ka problem, ai duhet të qëndrojë i qetë dhe të jetë në dispozicion të ekipit. Ai duhet t’i japë përparësi ekipit”.

Në fund Gattuso ka thënë se Milani e ka detyrë që të fitojë të treja ndeshjet e mbetura të kampionatit. “Do të përpiqemi të fitojmë të tria ndeshjet. Duhet të përgatitemi mirë për këto ndeshje. Forca jonë është grupi dhe duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë ndër të tjera Gattuso.