Letra pas dorëheqjes, Haradinaj: Ndërkombëtarët po gabojnë me Kosovën

AKTUALITET


Ramush Haradinaj ka dhënë këtë të premte dorëheqjen e parevokueshme si Kryeministër i Kosovës. Ish Komandanti i UÇK, që mbante postin e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është thirrur për herë të tretë nga Gjykata Speciale në Hagë, për të dëshmuar si i dyshuar për krimet e luftës në Kosovës. Me një letër publike, Haradinaj tregon se dorëheqja vjen pas ftesës nga Haga, duke u shprehur se në të nuk mund të shkojë si Kryeministër i Kosovës, por si Ramush Haradinaj. “Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë. Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë”, shrkuan Haradinaj.

Largimi i Haradinajt, a duhet ta pranojë presionin e ndërkombëtarëve?

Më tej, në letrën e tij, Haradinaj shkruan se Kosovës po i bëhet presion i padrejtë nga ndërkombëtarët për të hequr taksën ndaj mallrave serbe. Sipas Haradinajt, kjo taksë dhe tregtia e lirë me Serbinë, duhet të shërbejnë si çmim i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. “Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet. Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut. Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, shprehet Haradinaj.

Në fund të letrës publike, Haradinaj i bën thirrje Hashim Thaçit si president i Kosovës, të konsultohet me partitë politike, dhe më pas të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme. “Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN IA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike. I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës. Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS! Faleminderit”, shkruan Haradinaj.



Skip to toolbar