Manovra e Holandës për “të larë duart” me Shqipërinë

#NËRADAR


Ministri i jashtëm holandez lexon të martën në mbrëmje para parlamentit holandez relacionin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Parlamenti holandez ka një shumicë të brishtë që mban qeverinë, e cila megjithëse me ligj nuk është e detyruar të zbatojë rezolutën edhe nëse ajo është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, nuk mund të rrezikojë fatin e saj për këtë arsye. Por nga ana tjetër qeveria e Holandës nuk mund të rrezikojë “faqen” e saj përballë Europës, nëse ngelet e vetmja kundër. Kështu ka filluar një lojë taktike mes qeverisë dhe parlamentit në Hagë, për të evituar këto dy skenare. Kjo vihet re qoftë në gjuhën e përdorur, qoftë në faktin se pikërisht në këtë kohë kryeministri holandez ka “zgjedhur” që të jetë në vizitë në Indonezi, sesa të jetë në parlament në natën e vështirë të të martës. Po për me shumë kjo vihet re në relacionin që do të lexojë para deputetëve portokallinj, ministri i Jashtëm Stepp Block.

“Këshilli konkludoi në 26 qershor 2018 se negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore mund të hapen pasi të ishte implementuar një rrugë konkrete e reformës së sundimit të ligjit: vendi duhej të arrinte rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në fushën e reformës në sektorin gjyqësor, shërbimet e sigurisë, etj. sektori i sigurisë dhe administrata publike. Qeveria ndan vëzhgimin e Komisionit se qeveria e Maqedonisë Veriore ka ndërmarrë shumë hapa pozitivë gjatë vitit të kaluar. Marrëveshja “Prespa” është një shembull për rajonin dhe janë ndërmarrë hapa demonstrues në axhendën e reformës. Një hap i rëndësishëm që duhet të ndërmerret është miratimi i një ligji që garanton gjithashtu ndjekjen e pavarur të korrupsionit të mundshëm në të ardhmen në nivelin më të lartë. Ka një konsultë të vazhdueshme intensive midis opozitës dhe qeverisë për këtë. Kjo ende nuk ka rezultuar në një përfundim konkret”.

Duket se qeveria e Holandës kërkon të jetë me kujdes, në linjën europiane, të mos ndarjes së dy dosjeve, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Për këtë, ka vendosur të jetë kritike me të dyja:

“Këshilli gjithashtu konkludoi në 26 qershor 2018 se Shqipëria duhej të zbatonte një rrugë konkrete të reformës së sundimit të ligjit përpara se të hapeshin negociatat e pranimit: vendi duhej të kryente reforma gjyqësore dhe të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kabineti mirëpret hapat që Shqipëria ka ndërmarrë tashmë gjatë vitit të kaluar në fushën e zgjidhjes radikale, krijimin e një numri institucionesh në fushën e sundimit të ligjit, një numër në rritje të operacioneve policore dhe dënimin e dy kriminelëve kryesorë. Por Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) së paku duhet të jetë në funksion të parë dhe Shqipëria duhet të tregojë një rekord bindës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kabineti është i mendimit se është e parakohshme të filloni negociatat tani”.

Shqetësimi i qeverisë holandeze se kështu ajo rrezikon të jetë e vetmja kundër dy vendeve kandidate, vihet re në paragrafin e fundit: 

“Jo të gjitha shtetet anëtare ende kanë përcaktuar përfundimisht pozicionin e tyre, por një shumicë e madhe në Këshill është në favor të hapjes së negociatave të pranimit me të dy vendet. Shumë shtete anëtare deklaruan më herët se ata donin të shpejtonin procesin e zgjerimit në mënyrë që të ruanin vrullin e reformave ligjore, t’i lejojnë BE-së të projektojë vlerat dhe standardet e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i ofrojë popullatës një perspektivë. Këto shtete anëtare theksuan fuqinë transformuese të procesit të zgjerimit. BE-ja duhet të përmbushë premtimet e saj; Maqedonia Veriore dhe Shqipëria bëjnë të njëjtën gjë, sipas këtyre Shteteve Anëtare”.

Me kujdes relacioni i qeverisë holandeze para parlamentit nënvizon dhe çështjet gjeostrategjike që lidhen me këtë vendim:

“Për shumë shtete anëtare, konsideratat gjeopolitike dhe stabiliteti në rajon gjithashtu luajnë një rol. Prandaj, një numër i Shteteve Anëtare dëshirojnë një lidhje midis dy vendimeve. Ky grup i Shteteve Anëtare pajtohet me rekomandimet e Komisionit për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë dhe dëshiron të hapë negociatat e pranimit me këto dy vende sa më shpejt që të jetë e mundur. Këto shtete anëtare nënvizuan se bëhet fjalë vetëm për fillimin e një procesi të gjatë – dhe jo për anëtarësimin aktual”.

Dhe në fund vjen “bomba” gjermane. Holanda ka qënë një vend që në Europë ka folur gjithnjë ne sinkron me Berlinin. Kështu ndodhi edhe në qershor. Duket se në relacion me qetësi e kujdes, edhe qeveria e Holandës i kërkon parlamentit të bëjë të njëjtën gje:

“Ndërkohë, Bundestag gjerman ka rënë dakord edhe me vendimin e qeverisë gjermane për të hapur negociata me Maqedoninë Veriore, duke bërë thirrje që vëmendje e vazhdueshme t’i kushtohet përparimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër, Bundestag ka pranuar vendimin e qeverisë gjermane për të hapur negociata me Shqipërinë, me kusht që të plotësohen kushtet shtesë. Këto kushte përfshijnë ri-funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe zbatimin e reformave zgjedhore. Për më tepër, Bundestag bën thirrje për përparim të më tejshëm në fusha të tilla si krimi i organizuar dhe korrupsioni në të gjitha nivelet para hapjes së kapitujve të parë në negociatat e pranimit me Shqipërinë”.

Por çfarë synon kjo “lojë” e re mes qeverisë dhe parlamentit holandez? Deputetët janë kundër Shqipërisë dhe një rezolutë e kërkuar nga grupet e ekstremit të djathtë me siguri do të merrte shumicën e votave pro. Kësaj i ndruhet qeveria e Holandës. Burime diplomatike të huaja i pohuan në rrugë  jo zyrtare realstory.al se përpjekja është që kjo mos të ndodhë dhe relacioni të miratohet në formën që është. Forma “aseksuale” e relacionit lejon në fakt që qeveria e Holandës t’i ketë duart e lira në të dyja variantet: Nëse nuk është vetëm kundër Shqipërisë, vota e saj do të  jetë pro mos hapjes së negociatave. Por në rast se zëri portokalli do jetë një “zë në shkretëtirë” dhe i vetëm kundër Tiranës dhe Shkupit, atëherë kjo rezolutë do të lejojë hapësirë për manovrim dhe Holanda, nuk do të pengojë hapjen e negociatave për të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor./Realstory.al/



Skip to toolbar