Shqipëria i del zot vetes. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i thirrur në interpelancë nga parlamenti, foli për arsyet e krijimit të kompanisë shtetërore të mbrojtjes dhe sigurisë, Kayo. Në një kohë krizash e konfliktesh, si në Ukrainë dhe Iran, Nufi tha se Shqipëria po përgatitet të mbrojë veten, duke prodhuar vetë armë dhe municione brenda vendit, pa u varur më tek të tjerët.
“Kayo prodhon siguri. Sot, konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme tregojnë sa të rëndësishme janë pasja e municioneve dhe armëve brenda Shqipërisë. Gjatë një kohe lufte, kur të gjitha udhëtimet janë ndaluar apo ngushticat janë bllokuar, të bësh kalimin e materialeve ushtarake dhe pajisjeve ushtarake është shumë e vështirë. Sot, pasja e një shoqërie shtetërore me kornizë ligjore garanton pikërisht një rezervë të mjaftueshme municionesh, domosdoshmëri në kuadër të sigurisë,” tha Nufi
Nga dronët te anijet, Nufi dha detaje nga ky plan, ndërsa pranoi se Shqipëria në këtë plan ndihmohet nga partnerët e jashtëm.
“Një marrëveshje me shtetin e Izraelit për prodhimin e dronëve luftarakë të teknologjisë së fundit. Javën e ardhshme besoj do të kemi një lajm tjetër të mirë, me Italinë, për prodhimin e mjeteve lundruese. Plani i biznesit shkon në 1.2 miliardë euro. 400 vende pune në Vlorë”, u shpreh ai.
Përkundër akuzave të opozitës për Kayo-n, Nufi kishte edhe një mesazh politik.
“E vetmja forcë politike që ka menduar për ushtrinë është PS. Ju, me skandale, i kthyet shpinën ushtrisë. Kam pasur familjarë ushtarakë që janë hequr nga puna në kohën tuaj,” theksoi ministri.
Për opozitën foli djali i Fahri Balliut, i cili u duk goxha më mirë me shëndet nga e premtja e fundit.
