Mblidhet Kuvendi i Kosovës, LDK i jep votën Vetëvendosjes për kryetarin

KOSOVA


Deputetët e rinj të Kosovës, të cilët u zgjodhën pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit janë betuar sot në Kuvend, ndërkohë që me votat e LDK është zgjedhur kryetar përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse ende nuk ka një marrëveshje mes këtyre dy forcave politike, të cilat morën shumicën në zgjedhje. Por, oferta e fundit e bërë nga kreu i LDK pak minuta para nisjes së seancës së konstituimit të Kuendit të ri të Kosovës, duket se ka sjellë një pakt të heshtur mes palëve deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, kur Vetëvendosja do të propozojë qeverinë e re.

Në seancën e parë të Kuvendit të ri, fillimisht u bë verifikimi i mandateve të 111 deputetëve. Ndërkohë, surprizë nga Vetëvendosje ka qenë kandidatura për kreun e Parlamentit, të cilët kanë propozuar dhe më pas miratuar Glauk Konjufca.


Seanca, e cila nisi në orën 15:00 dhe zgjati 1 orë e 20 minuta, u kryesua nga deputeti më i vjetër në moshë, Jahja Koka, shoqëruar nga deputetja më e re Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje. Pikë e parë e seancës ishte formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Kryesuesi i Komisionit u caktua nga radhët e LVV, Albulena Haxhiu. Si anëtarë nga LDK u caktua Armend Zemaj, nga PD Ganimete Musliu, kurse subjektet e tjera caktuan si anëtarë Rasim Selmanaj, Sllavko Simiç, Albulena Bala Halimi, Rasim Demiri, Fidan Zhëllta, Veton Berisha, Emilia Rexhepi, Ethem Arifi, Elbet Krasniqi, Adem Hoxha dhe Albert Kinovi. Kuvendi, ku të pranishëm ishin 111 deputetë, më pas votoi komisionin e përkohshëm për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe verifikimin e mandateve.

Seanca konstituive u përmbyll me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Deputeti i dytë më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Konjufca u zgjodh kryeparlamentar me 75 vota pro, 27 kundër dhe 1 abstenim. Propozimin e Konjufcës për kryetar të Kuvendit të Kosovës e bëri lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti. Zgjedhja e Konjufcës për kryetar të Kuvendit është votuar dhe nga deputetët e LDK-së. Ndërkohë, nënkryetarë të parë u votuan Kujtim Shala, nga LVV, Arbërie Nagavci nga LDK dhe Memli Krasniqi nga PD.

Pas tre nënkryetarëve të parë të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lista u kompletua edhe me dy të tjerë. Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Danka nga komunitetet jo-shumicë u zgjodhën nënkryetarë të këtij Kuvendi. Deputetët, ata i votuan me 92 vota pro, dy vota kundër dhe dy abstenime.

Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28, Partia Demokratike 24, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb. Të dyja partitë kanë gjithsej 57 vende në parlamentin me 120 deputetë, ndërsa për ta miratuar formimin e qeverisë duhen së paku 61 vota. Për këtë ato llogarisin në votat e deputetëve të komuniteteve jo serbe.

Deri më sot, LDK dhe Vetëvendosja nuk janë dakordësuar për arritjen e një marrëveshje koalicioni për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Dje në mbrëmje lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka njoftuar se kanë dështuar negociatat me partinë e Isa Mustafës për koalicionin. Por, sot paradite, kreu i LDK bëri një ofertë publike për Vetëvendosjen. “Duam që ministritë t’i kemi, 5 për LDK dhe 5 për VV, nga një nënkryetar i kuvendit sipas kushtetutës i takojë secilit nga grupet. LDK propozon kandidatin për President që plotëson të gjitha kushtet dhe ne mbesim pas asaj që pas zgjedhjes së Presidentit, LVV t’i jepet një ministri nga LDK dhe me këtë proporcioni në Qeveri do të mbetej 6:4, nga momenti që zgjedhjet presidenti. LVV do të ketë më shumë pozita sepse tani do të ketë 7 pozita qeveritare, ndërkaq më vonë kur do ta bënim zëvendësimin me President do të mbesim me shtatë kurse ata me 10. Nëse LVV nuk është gati për këtë marrëveshje dhe sheh LDK si pengesë se po deklarojë sot se LDK është e gatshme të heq dorë nga kërkesat për përgjegjësi, duke ia lënë këto pozita VV”, deklaroi Isa Mustafa. Pas kësaj oferte ka ardhur edhe votimi i ndërsjellë në Kuvend për përfaqësuesit e këtyre dy partive. Tashmë pritet nëse këto dy forca do konkretizojnë marrëveshjen mes tyre para se në Parlament të propozohet qeveria e re.




Skip to toolbar