Mero Baze: Mbi zgjedhjet e pjesshme opozitare të Lulzim Bashës!

Më të fundit


Nga Mero Baze 

Dy parti opozitare kanë vendosur të regjistrohen për zgjedhje më 13 tetor, në përpjekje për të konsideruar si të vlefshëm dekretin e Presidentit Meta, duke e bërë tërësisht jo serioz dhe aksionin opozitar. 


Pas 30 Qershorit, kur Partia Demokratike humbi gjithçka dhe praktikisht është një parti jashtë sistemit, retorika kryesore e Lulzim Bashës ishte 13 tetori dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e dekretuara nga Ilir Meta. 

E gjitha kjo fillimisht iu bë për të inkurajuar kryetarët e bashkive në detyrë, që të mos rikandidonin për 30 Qershor dhe më pas, për t’i gënjyer ata deri më sot, kur duhet të lëshojnë zyrat e fundit. 

Tani Lulzim Basha e ka bërë tërësisht jo serioze situatën opozitare, pasi ndryshe nga të tjerët, ky nuk bën as sikur do të hyjë në zgjedhje. 

Jo se Monika Kryemadhi dhe Fatmir Mediu do bëjnë vërtet zgjedhje të pjesëshme opozitare, por të paktën bëjnë sikur respektojnë ata që kanë gënjyer me vetëdije, kur u kanë mbushur mendjen kryetarëve në detyrë të mos rikandidonin. 

Madje Xhelal Mziu akoma betohet se do të qëndrojë në zyrë deri më 13 tetor edhe pse partia nuk do të regjistrohet. 

Lulzim Basha është sot i pamëshirshëm dhe me ata që ka gënjyer deri më sot. Ata para të cilëve është betuar se nuk do të ketë 30 Qershor, ata para të cilëve është betuar se nuk i nxjerr njeri nga zyra, ata para të cilëve është betuar se do ketë zgjedhje më 13 tetor, sot ndjehen njerëzit më të tallur prej tij.Dhe jo vetëm ata. Të tallur ndjehen dhe aleatët e vegjël të PD, ata që Lulzim Basha nuk është se i ka të nevojshëm për vota, por i donte si zëra kundër kritikëve të brendshëm në PD. Edhe ata ndjehen si njerëz të lënë rrugëve. 

LSI po ashtu. Mes dilemës për të respektuar dekretet e Metës dhe aleancën me Bashën, sot LSI ngushëllohet me faktin se PD do t’i vëzhgojë zgjedhjet e 13 tetorit dhe do thotë që ishin të rregullta. 

Por ajo që është mbi të gjitha e pamëshirshme nga Lulzim Basha, ka të bëjë me faktin se ai e ka futur opozitën në një rrugë pa krye, nga e cila opozita jo vetëm që nuk tërhiqet dot, por as Bashës nuk ka çfarë i bën. 

Sot gjithë opozita është në funksion vetëm të dëshirës së Lulzim Bashës për t’u bërë kryeministër. Të gjithë të tjerët që aspirojnë të bëhen kryetarë bashkish, këshilltarë, apo zyrtarë të shtetit, janë të dënuar të përjashtohen nga çdo lloj gare që i jep pushtet PD, nëse më parë, nuk sigurohen që Lulzim Basha bëhet kryeministër. Dhe ai nuk ka ndërmend të hyjë në ndonjë palë zgjedhje për këtë çështje. Atij i është mbushur mendja që gjërat fitohen në tavolinë dhe në pazar dhe jo në fushë betejë. Ndaj deri atëhere, ju të tjerët “ngrohuni në diell”. Ose bëni sikur luani zgjedhjesh.




Skip to toolbar