Meta kujtohet për teatrin një vit pas ligjit, e çon dorazi në Kushtetuese

Më të fundit


Një vit pasi ktheu në Kuvend ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, kreu i shtetit, Ilir Meta ka deklaruar se do e dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse ligji është miratuar që në vitin 2018 dhe dekreti i Presidentit është rrëzuar që në tetor të vitit të kaluar, Meta është kujtuar pikërisht ditën e protestës së artistëve për t’u bërë protagonist i ngjarjes.

Në një njoftim të shkurtër pas protestës te teatri, presidenca tha se kreu i shtetit do të shkojë rreth orës 13:00 të së mërkurës në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.


Ligjin për Teatrin Kombëtar, Meta e ka kundërshtuar dy herë në Kuvendin e Shqipërisë. Herën e parë, më 5 korrik, Kuvendi miratoi ligjin për Teatrin Kombëtar dhe e dërgoi te Presidenti Meta për dekretim dhe shpallje. Por, kreu i shtetit e ktheu mbrapsht ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, pikërisht më 27 korrik 2018. Duke e kthyer në Kuvend, Meta kishte renditur nëntë pika që sipas tij duhen rishqyrtuar. Madje në një nga çështjet e ngritura nga Presidenti thuhej se “Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin”.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të datës 20 shtator 2018, vendosi të miratojë dekretin e Presidentit dhe me ndryshimet e bëra e çoi sërish ligjin për dekretim te Meta. Por, Presidenti e ktheu sërish mbrapsht, pikërisht më 11 tetor, duke argumentuar se ky ligj nuk kishte arritur të zgjidhte në thelb asnjë prej nëntë çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës të datës 27 korrik 2018.
Dekreti i dytë u mor në shqyrtim dy javë pas daljes së tij, kur Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese në një mbledhje që zgjati rreth 10 minuta rrëzoi dekretin e Presidentit, vendim i cili u miratua në seancë plenare.

Pas nëntë muajsh, të mërkurën Presidenti Meta iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të anuluar këtë ligj, ku vuri në dukje 11 pika pse e kundërshtonte atë.

Tashmë, edhe pse Gjykata Kushtetuese ende nuk është funksionale, me veprimin e radhës Ilir Meta i shton vetes listën e kundërshtimeve që po i bën mazhorancës për çdo ligj apo vendim tjetër që kalon nëpërmjet kreut të shtetit. Që nga anulimi i datës së zgjedhjeve, Presidenti Meta ka nxjerrë disa dekrete duke kërkuar anulimin e ligjeve apo vendimeve ndryshme të mazhorancës.




Skip to toolbar