Mini-schengen, Vasjari: Risku për Shqipërinë dhe Kosovën

POLITIKË


Analisti i njohur Arian Vasjari, i ftuar në studion e Real Story e shikon me pozitivitet marrëveshjen mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për minischengen mes 6 vendeve të rajonit, por i ka dhënë të drejtë skepticizmit të Kosovës për suksesin e saj, duke renditur disa nga faktet që shkojnë në favor të Serbisë, ndërsa vuri në dukje se nuk mund të jetë i observueshëm derisa dy shtete të rajonit, Bosnja dhe Serbia nuk e njohin Kosovën.

“Në princip unë jam pro kësaj marrëveshje në Novisad, është një moment pozitiv për rajonin, pavarësisht problemeve të pazgjidhurave mes Kosovës dhe Serbisë. Nga ana tjetër dua të them që kjo që ndodhi sot nuk duhet emetuar si një ide autentike e zotit Rama, ashtu si nuk ka qenë një ide autentike e Vuçiç në shkurt të 2017. Ajo ka qenë një ide e imponuar për shkak të situatës së krijuar në BE. Ne e dimë që ka pak kohë që nuk është shumë dakord me zgjerimin. Shqetësimi që ju thatë është i drejtë. Po të shikosh indeksin e hapur që kanë vendet e rajonit, është rritur 200 për qind, indeksi i Aries (Tërësia e importeve dhe eksporteve në raport me GDP, që tregon rritjen ekonomike), u shpreh Vasjari.


Sipas analistit Vasjari, ka një tregues tjetër që e përligj këtë që ndodh sot, që sipas tij është ritmi i rritjes së tregtimit mes vendeve të rajonit, i cili është shumë i lartë. “Bilanci tregtar para 5 viteve ka qenë 3.5 miliardë euro, ndërsa sot jemi 5 miliardë euro shkëmbime”, theksoi Vasjari, megjithëse pikërisht këtu zë vend edhe skepticizmi se në favor të cilit vend do të shkojë kjo marrëveshje.

“Mjafton që të shikojmë bilancin tregtar të Serbisë, krahasuar me Shqipërinë. Serbia ka bilanc pozitiv me mbi 3 miliardë euro, Shqipëria e ka vetëm 50 milionë. Kjo ka risk. Po ashtu, në raport me integrimin, Serbia është para nesh. Në raport me shtetin e së drejtës, Serbia është para nesh. Ky është një shqetësim real”, theksoi Vasjari.

Analisti ceku edhe çështjen e Kosovës, duke e cilësuar si më të rëndësishmen për këtë marrëveshje, sidomos për faktin se ajo nuk mund të realizohet, kur dy shtete të rajonit nuk e njohin këtë shtet. “Sot situata vijon të jetë problematike për çështjen e Kosovës, sepse nëse institucionet kosovare e shikojnë, ndoshta edhe paranojë, e shikojnë frikën e rikthimit te një Jugosllavie të re, kjo mbase nuk është e mbështetur, por unë e kuptoj. Unë kam përshtypjen se kjo ndjeshmëri duhet marrë në konsideratë sepse, duam apo nuk duam, ky si proces nuk mund të avancojë në një rajon, ku minimalisht, dy shtete, Bosnja dhe Serbia nuk njohin një shtet. Nuk e shikoj që në një afat mesëm të bëhet i observueshëm, por është një proces që duhet parë me pozitivitet. Është më mirë që kjo ndodhi që mos të ndodhte”, theksoi Vasjari.




Skip to toolbar