Mini-Shengeni, sot takimi Rama, Vuçiç e Zaev në Tiranë

AKTUALITET


Pasditen e kësaj të premteje nis takimi i Liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky do të jetë takimi i tretë rajonal ku do të diskutohet për krijimin e mini-Shengenit Ballkanik. Në takim pritet të jenë të pranishëm Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Ftesë kishte dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, por të enjten në një deklaratë ai njoftoi se refuzonte pjesëmarrjen.

 “Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, tha Thaçi në deklaratën e tij.

Takimi i Tiranës vjen pas atij të Novi Sadit në Serbi dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Të tre liderët kanë rënë paraimisht dakord për krijimin e një zone ekonomike që lehtëson lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve duke hequr disa barriera kufitare. Iniciativa e Ramës, Vuçiç dhe Zaev është përshëndetur nga Bashkimi Europian.



Skip to toolbar