Minxhozi: Berisha, ose Lulzim Basha 2.0!

Më të fundit


Harxhoi gjithë dimrin, pranverën dhe verën duke kërkuar ta ndajë veten nga paraardhësi, dikur nxënës i tij. Sulmoi, shau, kërcënoi, premtoi, akuzoi dhe tregoi me gisht gjithkënd majtas e djathtas duke u betuar solemnisht se do të ishte një njeri tjetër, më i ri dhe dinamik, pavarësisht moshës së shtyrë dhe konsumit 30 vjeçar që mban mbi shpinë.

Ky ka qenë Sali Berisha i 12 muajve të fundit. Një politikan në luftë me kohën dhe me “tradhëtarin” Basha, një lider i plagosur me dorën e amerikanëve dhe i ringritur me entusiazmin e militantëve të zemëruar nga tetë vite të gjata qëndrimi në opozitë (edhe me aprovimin direkt të Berishës)! Doktori ka investuar në këtë rikthim gjithçka që ende zotëron: emrin dhe imazhin, energjitë e mbetura dhe premtimin e përjetshëm për të hyrë edhe një herë në zyrën e kryeministrit. Të njëjtin premtim që llir Meta i bën rregullisht vetes prej rreth dy dekadash…


Sali Berisha dëshëron të jetë një kryetar krejt i ndryshëm nga Basha. Janë të paktë ata që besojnë se ai nuk është vërtet i tillë, më i fuqishëm politikisht, më zëlartë dhe imponues por edhe më me eksperiencë për të mos shkelur në kurthet ku Basha hynte pa e vrarë shumë mendjen. Doktori ja merr partinë për 24 orë Lulit, thuhej pak a shumë kudo nëpër Shqipëri ditën që ai ngriti dorën kundër ish-nxënësit të tij.

Mirëpo një gjë është ta marrësh një kështjellë, e një gjë tjetër ta mbash atë. Berisha i besoi shumë entusiazmit të fillimit, brohorimave të Arenës Kombëtare në mes të dhjetorit si të ishte një ndeshje futbolli nga ato të nxehtat. Besoi dhe sugjestionoi fillimisht veten e më pas të tjerët, se Rama i kishte ditët e numëruara gjatë vitit 2002 (edhe me ndihmën e Metës që përgatitej të zbriste në fushën e lojës).

Por Berisha s’kishte llogaritur mirë dy faktorë: grupin parlamentar me amerikanët pas perdes dhe oreksin e rritur të ish-presidentit pas 24 korrikut. Ashtu siç pritej, pengesa e Berishës do të ishin deputetët, me mandatin e tyre të paprekshëm nga votimet brenda PD, si dhe spostimi djathtas i Metës me Partinë e Lirisë që kërkon këtej e tutje edhe vota të djathta, jo më socialiste si ato të LSI.

Në anën tjetër, e ndoshta kjo është më e rëndësishmja, Berisha s’kishte llogaritur që do të gjente një opinion publik kaq pasiv ndaj thirrjeve të tij dhe të Ilir Metës, për t’u ngritur e për të rrëzuar qeverinë. Të dy liderët e vjetër të veshur me petka të reja i hynë një vere vetmitare konferencash shtypi e daljesh të përditshme me akuza e kërcënime ndaj qeverisë, e cila, ashtu si shumica e shqiptarëve të zakonshëm, kishin veshur kostumet e banjos e shijonin verën e nxehtë. Harxhuan bateritë në korrik e gusht dhe i gjeti vjeshta të lodhur, mund të ishte metafora për rastin në fjalë.

Heshtja e shtatorit, me opozitën ende brenda zyrave të saj, është pasojë e kësaj shurdhërie verore. E cila provon në fakt se kalorësit që opozita ka zgjedhur mund të mos jenë ata të duhurit. Duket si paradoksi më i madh i imagjinueshëm, por Sali Berisha i sotëm po fillon t’i ngjajë gjithmonë e më shumë Lulzim Bashës për nga (pa)fuqia për të zgjuar indin e protestës tek shqiptarët. Njëlloj si paraardhësi i tij, Doktori po konsumon shumë retorikë dhe pak aksion konkret.

Sali Berisha po merr pëditë e më tepër trajtat e një Lulzim Bashe të dytë, madje-madje ky i fundit shfaqej dikur jo më i dobët se Berisha (kur s’kishte zgjedhje kuptohet). Lulzim Basha i la trashëgimi Berishës një opozitë të unifikuar, kurse sot Doktori po dështon të bashkojë tre korentet opozitare, pjesën e vet të PD me atë të Alibeajt dhe partinë e Metës. Lulzim Basha ja arriti të nxjerrë disa dhjetra mijë njerëz nëpër sheshe në protesta disa herë masive, kurse Berisha po vazhdon edhe tani në tetor traditën e Foltores në salla të mbyllura e formate të vogla, megjithëse kishte premtuar që në vjeshtë Rama do dridhej brenda Kryeministrisë. Basha shau e akuzoi njëlloj si Doktori, pra edhe këtu s’ka ndonjë ndryshim të madh. Ndërkohë produkti real i kësaj opozite vazhdojnë të mbeten fjalët nëerë. Pikërisht akuza për të cilën u mallkua Lulzim Basha nga Sali Berisha e të tjerët.

Unifikimi i opozitës dhe ngritja e frymës opozitare tek shqiptari i thjeshtë janë dështime që duken për së largu në strategjinë e Sali Berishës. Sido që të shkojë sezoni i tij politik, vjeshta ka shfaqur të gjitha mangësitë e Doktorit, duke nisur nga mosbesimi që zgjedhësit kanë ndaj tij, e deri tek pamundësia për të bindur parlamentarët e PD që t’i bashkohen karros së tij opozitare. Shqipëria lëngon nën krizën e çmimeve por sheshet mbeten bosh. Kjo është prova më e prekshme se opozita e ka humbur provimin e vjeshtës. Ishim dhe mbetemi në sinoret e Lulit…




Skip to toolbar