“Politikanët e sotëm nuk ditën, dhe Rama është një nga ata, që të jenë brezi i parë i Shqipërisë normale, por u skeduan si brezi i fundit i radhës i tranzicionit.”. Kështu deklaroi analisti Skendër Minxhozi mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’. Teksa analizoi vitin që po lëmë pas, Minxhozi tha se nga 1 janari, nis një lojë e re, kohë kur nis edhe puna e SPAK. Po ashtu ai tha se sot janë djegur të gjitha alternativat politike, ndërsa shtoi se politikanët e sotëm, mes tyre dhe Rama, janë skeduar si brezi i fundit i radhës në tranzicion.
“Që nga 20 dhjetori është zhdukur një pjesë e prokurorisë dhe ka hyrë zyrtarisht në fuqi ai që e kemi lakuar gjatë gjithë vitit që nuk vinte, që është SPAK. Tani bien alibitë që me sistemin e ri të drejtësisë ne nuk kemi më rezultate, ose kemi. Do të shohim. Loja është e hapur. Në 1 janar, teorikisht, nis një lojë e re. Nëse në 97-ën gjysma e politikës shqiptare, që i binte pak a shumë e majta ish-komuniste, nuk e kishte provuar qeverisjen, se e tillë erdhi si ngjarje, sot kemi djegien e të gjitha alternativave, ose mos suksesin e të gjitha alternativave. Politikanët e sotëm nuk ditën, dhe Rama është një nga ata, që të jenë brezi i parë i Shqipërisë normale, por u skeduan si brezi i fundit i radhës i tranzicionit.
Ai shtoi më tej se: “Po e përdorim këtë bilanc të 2019-ës për të bërë edhe një bilanc më të gjerë, të atij që është konsideruar si ‘tuneli i tranzicionit’ që ka disa stacione. Disa prej tyre po i analizojmë. Jam dakord me atë procesin e tjetërsimit të politikës, nga një lojë ose garë ideologjish, tezash, ideshë, në një arenë cirku ku luajnë faktor ekstra-politik që ia humbasin në fund fare atë që është ADN-ja, pra që të kthesh të pamundur të mundur. Sot kemi një faktor gjithnjë e më prezent, siç është i botës së biznesit. Nëse evokojmë 20 vite pas në biznesin e kohës që po analizonim, ishin disa personazhe groteskt, që luanin me paratë e xhepave të shqiptarëve dhe që nuk kishin asnjë lloj investimi. Sot duhet ta themi, kemi një korpus të fuqishëm të biznesit në Shqipëri, që akuzohet dhe se luajnë me paratë e shqiptarëve dhe kanë kapur vendimmarrjen”, tha Minxhozi.