Minxhozi: Pse Berisha po refuzon thirrjen e ndërkombëtarëve

Më të fundit


Në vend të debatit në Parlament, në ditën kur po diskutohej projektbuxheti i 2024, opozita e “orkestruar” nga ish-kryeministri Sali Berisha zgjodhi rrugën tjetër, atë të ndezjes së flakadanë dhe krijimit të kaosit.

Kjo situatë mbushi mediat ndërkombëtare, madje çoi dhe në reagimin e aleatëve kryesorë të Shqipërisë, të cilët thanë se skena të tilla nuk janë në interes të Shqipërisë, dhe në  të tilla kushte, apeluan që palët politike t’i rikthehen dialogut dhe funksionimit normal të institucioneve.


Por, pavarësisht kësaj, Sali Berisha tha se opozita do të vijojë me këto skena, duke dëshmuar se as thirrja e ndërkombëtarëve nuk ka dhënë efekt, të paktën tek ai dhe grupi që e udhëheq. Kjo u diskua mbrëmjen e djeshme në emisionin “Real Story”, nga analisti Skënder Minxhozi.

Ai tha se ka vetëm një arsye, që Berisha shpërfill thirrjen për dialog të ndërkombëtarëve.

“Nëse ka sot në Tiranë, një politikan, që ka nevojë për një media ndërkombëtare, në këtë lloj situata, ky është Berisha dhe ne e kuptojmë për cilin arsye. Është I izoluar, do të këtë një kanal komunikimi me të huajt, ata nuk ia kanë dhënë këtë kartë deri më sot në dorë.

Nuk e pranon thirrje e tyre, është sepse, në ndryshim nga herët e tjera, kur në Kuvendin e Shqipërisë, në bulevardin e Tiranës apo në qendër të institucioneve  është ndezur një flakë metaforike apo dhe fizike, gjithmonë kanë hyrë zjarrfikësit e huaj dhe e kanë shuar.

Gjithmonë kur ne kemi dashur dhe duam, kur jemi në prag të një reforme zgjedhore të radhës, kjo lloj reforme ka pasur një garant të huaj, gjithmonë në këtë lloj situatash kemi pasur një kundër-palë. Situata politike është e tillë, që Berisha parimisht do ta donte një ndërhyrje. Fakti që i thotë “jo” kësaj ndërhyrjeje, e bën se ai e sheh se kjo ndërhyrje  është shumë e zbehtë”, tha ai.




Skip to toolbar