Ndërrimi i viteve, koncert madhështor në sheshin “Skënderbej”

AKTUALITET


Edhe këtë ndërrim vitesh, Tirana do ta përcjellë në sheshin “Skënderbej”, mes tingujve të muzikës, argëtimit, dhe shoqërisë së njëri-tjetrit. Bashkia e Tiranës, ashtu siç tashmë e ka kthyer në një traditë pritjen e ndërrimit të viteve në këtë shesh, ka organizuar një koncert madhështor, i cili starton në orën 23:00 të 31 dhjetorit, me emra të njohur të muzikës shqiptare.

Ndërkohë, një spektakël i vërtetë fishekzjarrësh do të realizohet për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e shumtë të kryeqytetit, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë në Tiranë festat e fundvitit.


Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ndarë me qytetarët disa nga momentet më festive që do t’i shoqërojnë mbrëmjen e 31 dhjetor.

“Siç e kemi bërë traditë tashmë, ndërrimin e viteve e presim te sheshi “Skënderbej”.

Një spektakël i paparë fishekzjarrësh për të pritur Tirana 100 vjet kryeqytet dhe një koncert madhështor na presin më 31 Dhjetor ora 23:00 me Eneda Tarifën, Mariza Ikonomin dhe Elhaida Danin”, shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj.




Skip to toolbar