Ndryshimet në Kodin Penal, Kuvendi rrëzon dy herë Metën

AKTUALITET


Kuvendi ka votuar kundër dekretit të Ilir Metës, që ktheu për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Penal. Pas rrëzimit në Komisionin e Ligjeve, 85 deputetë kanë votuar kundër dekretit të Metës në Kuvend, duke bërë  që ndryshimet në Kodin Penal të futen në fuqi pa pasur nevojën e një dekreti të dytë  nga Ilir Meta. Po çfarë ndryshimesh ka pasur Kodi Penal? Disa nga pikat themelore të shtuara apo ndryshuar në Kodin Penal, kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, duke ashpërsuar masat penale ndaj abuzuesve me sigurinë në ushqime.

Gjithashtu, një tjetër ndryshim është ashpërsimi i dënimit për këdo që ushtron dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, lojtarëve apo personave të tjerë në stadium. Ky ndryshim në Kodin Penal erdhi si një kërkesë e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit drejtuar Kuvendit, pas akteve të dhunës që ndodhën në një ndeshje futbolli në Kamëz, ku mbeti i dhunuar nga tifozët një nga arbitrat e ndeshjes. Gjithashtu, në Kodin Penal, janë parashikuar edhe disa ndryshime të tjera, që lidhen me rritjen e sigurisë së mjekëve dhe punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Në këtë ligj parashikohen dhe masa më të ashpra edhe për “ndërhyrjet e padrejta në jetën private të tjetrit”. Në fakt, kjo ishte nga pikat kryesore, që Meta e ktheu për rishqyrtim ligjin. Sipas tij, kjo pikë krijonte  mbivendosje me nenet e tjera të Kodit Penal. Pas diskutimeve në Kuvend për dekretin e Metës, që kthente ndryshimet e Kodit Penal për rishqyrtim, u votua kundër dekretit nga  85 deputetë, ndërsa pro votuan 11. Ndërkohë, gjatë seancës të së enjtes, Kuvendi ka rrëzuar dhe dekretin e Metës, për rikthimin për rishqyrtim të ligjit “Për Akademinë e Shkencave”.

Në argumentin që i bënte Meta kthimit të këtij ligji, shprehej se “bie ndesh me parashikime e Kushtetutës së Shqipërisë, cënon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cënon kompetencat e Presidentit të Republikës”. Megjithatë, Kuvendi nuk e ka parë të arsyeshme për të rishqyrtuar këtë ligj, duke votuar kundër dekretit të Ilir Metës me 75 vota kundër dhe 20 vota pro Metës.  



Skip to toolbar