Ndryshimet në ligjin për Kushtetuesen, Shametaj: Zhbllokim i ngërçit. Gjekmarkaj: I keni bërë një shërbim vullnetit të kryeministrit

AKTUALITET


Analistët kanë diskutuar mbrëmjen e sotme në “Real Story” në News24 edhe ndryshimin e miratuar sot nga Kuvendi në projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, në të cilin parashikohet që nëse Presidenti nuk organizon brenda afatit ceremoninë e betimit të anëtarit, atëherë ai mund të betohet në një vend tjetër.

Gjekmarkaj tha se Presidenti bëri gjënë e duhur për të ndaluar kapjen e Kushtetueses sa i përket konfliktit me Kuvendin për anëtarin e kësaj Gjykate. Alfred Peza tha se anëtari i Kushtetueses sërish do betohet tek Presidenti por ndryshimet e maxhorancës bëjnë të mundur që mos të ndodhë më një rast i tillë.


Sipas deputetit të PS Adnor Shametaj se ndryshimet janë zhbllokim i ngërçit. Nga ana tjetër për Gjekmarkaj deklaroi se deputetët e PS i kanë bërë një shërbim vullnetit të kryeministrit.

Gjekmarkaj: Kjo nuk është kaq e thjeshtë, nuk është çështje ngërçi, për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Nuk më shqetëson fati i Presidentit, por turpërimi i Presidentit si institucion po.

Presidenti i Republikës pavarësisht analizës, politikisht mendoj që ka bërë gjënë e duhur për të ndaluar kapjen e Kushtetueses. Ka mbrojtur pavarësinë relative të Gjykatës Kushtetuese.

Peza: Presidentit nuk i është hequr kompetenca për të bërë betimin një anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Peshku piu ujin në rastin e Presidentit. Presidenti në këtë rast e tejkaloi kohën fizike të tij për të bërë ceremoninë e betimit. Pikërisht për të mos ndodhur një ngërç i tillë u bë një ndërhyrje parlamentare ligjore nga maxhoranca.

Shametaj: Ne si nismëtarë të këtij ndryshimi që u bë në ligjin organik kemi bërë të gjitha konsultimet e nevojshme. Është zhbllokimi i ngërçit, realizimi i detyrimit që kemi të gjithë ne. Përfaqësuesi i Euralius në komisionin e ligjeve tha se mbështet ndryshimet.

Gjekmarkaj: Unë mendoj se i keni bërë një shërbim vullnetit të kryeministrit. E kam të vështirë të besoj që sot në Shqipëri ka parlament. Ka vetëm një autoritet absolut që ju i bindeni, dhe ky është kryeministri.

Peza: Kjo maxhorancë që në ditën e parë filloi punën për të bërë paketën e reformës së madhe, asaj të drejtësisë për të rrëzuar kolonën më të kalbur të shtetit. Ka vullnetin për ta çuar deri në fund këtë reformë (anti-KÇK).




Skip to toolbar