“Ne inferiorët”, Shakohoxha: Mjaft me të huaj, ja pse kombëtares i duhet një trajner shqiptar

Më të fundit


NGA DRITAN SHAKOHOXHA

Kur Edi Reja me 1 mijë ndeshje në Serinë A si trajner flinte si qengj mbrëmjen që Shqipëria humbi 1-0 me Lituaninë në “Air Albania”, Igor Angelovski, trajneri maqedonas, me 50 ndeshje në karrierë nuk e zinte gjumi sepse një muaj më vonë do të luante finalen e një kombi kundër Kosovës. Atë mbrëmje Shqipëria humbi shansin për të shkuar në “play off”-in e Botërorit, ndërsa Maqedonia po përgatiste suksesin e jetës, Europianin. Pak më parë kishte shkuar në finalet Europianit me 19 dhe 21-vjeçarët. Kish ardhur momenti. Në të njëjtën mbrëmje raportet ndërkombëtare thoshin se Shqipëria po mbante vendin e parë në Europë për emigracionin e mjekëve, infermierëve dhe fizioterapistëve.


Ky emigrim është vallë arsyeja që në stafin e Edi Rejës mjeku, fizioterapisti dhe video-analisti janë italianë? Vendi që eksporton më shumë mjekë në kontinent nuk paska asnjë mjek që t’i shërbejë Kombëtares? Te stafi i Angelovskit janë të gjithë vendës, maqedonas dhe me shqiptarë, ashtu si është ndarë në fakt dhe popullsia. A nuk ka ardhur momenti për të pasur një trajner shqiptar në Kombëtare? Pse të mos kemi dhe ne Angelovskin tonë, njësoj si Maqedonia nën drejtimin e një vendësi shkoi në Europian dhe fitoi në Gjermani? Ne shqiptarët u mërzitëm shumë kur në fillimin e viteve ‘90 Michele Placido zbarkoi me filmin “Lamerika” dhe tregoi realitetin e asaj kohe. Nuk më hiqet nga mendja skena kur italiani mbi kamionin që po e dërgonte në port, ishte rrethuar nga 3-4 shqiptarë që vinin bast se ai ishte tifoz me Milanin ose Juventusin. Ai ishte me Napolin në fakt. Italiani në film ngjante si “italiani i Halos”, një i mbetur nga Lufta e Dytë Botërore nëpër Vranisht, fshatin nga kam origjinën. Të gjithë i mbajtën italianët atëherë dhe i trajtonin mirë, ndonëse kishin ardhur me pushkë ne i pritëm me bukë. Trajnerët italianë zbarkuan në Shqipëri, njësoj si italianët e “Lamerikës” në tokën e premtuar… Erdhën, panë, humbën dhe u larguan. Ata fituan shumë para, po ne çfarë fituam? Çfarë na mësoi Dossena, Panucci apo tanimë Reja? Çfarë i mësoi Agostinelli Skënderbeut dhe Partizanit? Çfarë u mësoi të kuqve Lerda që erdhi sa doli Gega kampion? Po Sormani dhe Iuliano? Po Menichini dhe Ze Maria Tiranës? Po Ramella Flamurtarit? Po Camarata, Moriero dhe Miccoli Dinamos? Po kushedi sa të tjerë…?

Sepse trajnerë italianë kanë pasur dhe Kamza e Puka. Imagjino! Ka ardhur momenti për të thënë: Mjaft! Është pikërisht momenti që të lëmë mënjanë këtë kompleks inferioriteti që na ka mbërthyer prej 30 vitesh dhe kemi harruar që ndoshta duhet të prodhojmë dhe ne trajnerin shqiptar, njeriu që të paktën nuk do bëjë më keq se rezultatet e këqija që shpesh marrim. Dhe këtu më vjen ndërmend një batutë e kolegut Dëfrim Methasani, që më tha se Korabi në 30 vitet e fundit ka pasur vetëm një herë trajner nga Peshkopia. Korabi në fakt, prej tri dekadash në po të njëjtat ujëra noton… A nuk kemi pasur ne asnjë kandidat në gjithë këto vite për t’i besuar stolin kuqezi? A janë trajnerët tanë të dobët apo kompleksi i zgjedhjes na lidh vetëm me Italinë? A nuk ka trajnerë që kanë arritur suksese ndërkombëtare? Asnjë? Askush?!

angelovski

Ndoshta po kërkoj shumë. Ne nuk kemi as mjek, ne nuk kemi fizioterapist dhe ajo që më çmend është se ne nuk kemi as përgatitës atletikë as videoanalist… Trajner i huaj në Kombëtare nuk është më një modë ndërkombëtare. Pavarësisht përvojës, çdo i huaj do të flinte si qengj, ndërkohë që çdo shqiptar do të flinte në të gdhirë pas humbjes me Lituaninë dhe ne do ta kishim masakruar me kritika… Imagjinoni çdo t’i kishim bërë nëse do të barazonte në shtëpi me Andorrën, ashtu siç bëri Reja. I huaji më i dobët mund të jetë më i zgjuar se shqiptari më i aftë, por i huaji më i aftë nuk na ka sjellë asnjë rezultat më shumë sesa shqiptari më i keq. Ca më tepër kur është italian.

Shënimi 1: Një nga kandidatët për t’u ulur në postin e trajnerit të Shqipërisë ka qenë dhe Seedorf. “Profesor” në fushë, ai erdhi në Durrës dhe bëri bisedë me orë të tëra. Për pak nuk ia ofruam stolin ish-lojtarit të Milanit. Sot ai ende nuk është bërë trajner. “Italiani i Halos” që hante një çapë bukë në Vranisht pas luftës nuk e dinte që pas Luftës së Ftohtë italianët do të ishin kudo rreth nesh. Italisht sot s’di më njeri, por ata vërtiten në Tiranë, pa rezultate, por me para në xhep dhe duke abuzuar me inferioritetin tonë. Mjaft më! Ka ardhur momenti që të kemi dhe ne “Angelovskin” tonë! Ai që do fitojë një ditë në Gjermani. Më pas ndoshta gjejmë dhe ndonjë mjek për të.

Shënimi 2. Kur Dinamoja e Zagrebit erdhi për të luajtur me Skënderbeun, pyeta drejtorin e tyre: “Pse i ndërroni kaq shpesh trajnerët dhe pse të gjithë kroatë?” Përgjigja ishte: “Mendoj për ta, – më tha, – me 6 muaj te ne hanë bukë gjithë jetën në gjithë botën”. Atëherë mendova me vete: “Po kush është trajneri shqiptar që ne e bëmë të hajë bukë në gjithë botën?!” Francesco Totti e ka lënë futbollin… Më duket se ishte stërnipi i “italianit të Halos”. Ah sa bukur do të ishte sikur ta kishim punëtorin tonë italianin e famshëm… Apo të marrim Angelovskin që arrin suksese të mëdha? Jooo, nuk vlen, sepse nuk ka qenë lojtar i famshëm…/PANORAMASPORT.AL




Skip to toolbar