Ish ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se është shpresëplotë se edhe vendet e tjera skeptike në lidhje me Shqipërinë, si Franca apo Holanda do të japin “PO” për hapjen e negociatave ashtu siç bëri Gjermania. Në lidhje me kushtet e vendosura nga Gjermania, Ahmetaj i cilësoi si detyra shtëpie për vendin dhe jo kryeministrin Rama, duke theksuar se puna e qeverisë është vlerësuar deri më tani. Ajo që prite, tha Ahmetaj është që të vijojë bashkëpunimi institucional dhe me opozitën jashtëparlamentare për të ecur përpara me reformën zgjedhore.
“Pres një po më 17-18 tetor për hapjen e negociatave. Kushtet mendoj se do jenë në tavolinë. Pozicioni i Bundestagut do jetë ky edhe në KiE. Franca përtej atij emocioni negativ ndaj hapjes ka qëndrim shumë pozitiv ndaj Shqipërisë. Holanda ka pasur idenë se shqiptarët janë grupi më i madh kriminal, por kur panë statistikat ndryshoi stereotipi. Unë besoj se do marrim një ‘Po’ nga Franca dhe Holanda, të formatit siç po bën Gjermania. Këto janë kushte për vendin, nuk janë kushte për Edi Ramën. Edi Rama i ka plotësuar kushtet e veta si qeveri sepse komisioni i ka dhënë ‘OK’ si qeveri”, tha Ahmetaj për News 24.
Në lidhje me ecurinë e reformave në vend, Ahmetaj tha se Shqipëria është maturuar për të hapur negociatat duke përmirësuar reformat e saj dhe institucionet. Një vendim pozitiv nga Gjermania nuk erdhi për shkak të dashurisë tha Ahmetaj, por për shkak të maturimit të vendit. Ai bëri thirrje opozitës që të heqë dorë nga kushtet irracionale dhe të ulet në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore.
“Kjo mbështetje nuk vjen rastësisht vetëm nga dashuria, që patjetër ekziston, por se Shqipëria është maturuar për të hapur negociatat. Maturuar me reformat e thella për përmirësimin e institucioneve. Patjetër që i prisja dhe kushtet. Po t’i shohësh kushtet nuk është dëshira e Bundestagut për të vënë disa kushte por janë e mira e Shqipërisë. Miratimi i reformës zgjedhore është betejë e përbashkët e opozitës dhe pozitës. Kryeministri nuk ka thënë asnjëherë jo. Është ftuar opozita jashtë parlamentare të marrë vendet e veta në komisionin e reformës zgjedhore, të thotë fjalët e veta. Opozita ka përgjegjësinë të mbajë ‘check and ballance’ qeverinë. Unë mendoj që opozita e ka atë racionalitet, të heq dorë nga ato kushte që i konsideroj irracionale, diku-diku të stisura e të ulet të dialogojë në të mirë të vendit.” u shpreh Ahmetaj