Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar sot (e martë 11 qershor), një vizitë pune në Bruksel ku do të zhvilloje takime me krerët më të lartë të BE-së.
Në orën 17.00 Rama do të pritet në takim nga shefja e politikës së Jashtme, Frederica Mogherini, më pas në 18.50 do të takohet me kreun e Këshillit të Europës, Donald Tusk dhe në orën 19.00 Rama do të takohet me presidentin e KE-së, Juncer.
Këto takime vijnë në një moment kur pritet që Këshilli i Europës të mblidhet dhe të marrë një vendim pas propozimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk dihet ende se cili do të jetë vendimi që do të marrë Këshilli i Europës, ndërkohë që disa shtete evropiane janë shprehur kundër çeljes së negociatave.
Nga ana tjetër edhe kriza politike në Shqipëri pritet të jetë pjesë e bisedimeve mes Ramës dhe krerëve të BE-së.
Të hënën zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançic në një deklaratë për mediat, dënoi vendimin e marrë nga presidenti Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve. Zëdhënësja e BE-së tha se duhet të respektohet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale. Pritet që edhe qëndrimi i krerëve të BE-së të jetë në të njejtën linjë.