Si askush tjetër në Europë, Alexander Lukashenko siguroi të dielën mandatin e shtatë presidencial. Në këtë mënyrë ai zgjat sundimin 31-vjeçar, teksa televizioni shtetëror nga një sondazh tha se Lukashenko fitoi me 87.6% të votave.
Për të kuptuar filozofinë e qeverisjes së tij na shërben një diskutim i tij me një gazetar të BBC. Steve Rosenberg ndodhej në Minsk për të ndjekur procesin zgjedhor dhe thotë se kurrë nuk ka parë diçka të tillë si në kryeqytetin e Bjellorusisë.
Teksa qytetarët e vendit të tij votonin ende, Lukashenko mbajti një konferencë në televizionin shtetëror. Jo pak, por 4 orë e gjysmë ai foli para gazetarëve.
E këtu gazetari britanik gjeti mundësinë t’i bënte disa pyetje, diçka për të cilën edhe presidenti bjellorus ishte i vetëdijshëm.
“Çfarë pyetje fatkeqe ke përgatitur për mua? Siç bën gjithmonë”, i tha Lukashenko gazetarit.
Rosenberg ishte i interesuar të kuptonte se pse presidenti bjellorus i konsideronte zgjedhjet demokratike, në një kohë kur rivalët i ka ose në burg, ose në azil.
“Disa janë në burg dhe disa në azil. Por ti je këtu! Secili ka të drejtë të zgjedhë. Kjo është demokracia. Disa zgjedhin burgun, disa azilin. Në nuk detyrojmë askënd të largohet nga vendi”, tha ai.
Por në të vërtetë, pas protestave të vitit 2020, shumica e kundërshtarëve të fortë të Lukashenkos, ose janë burgosur, ose janë larguar nga vendi. Në vend janë më shumë se 1200 të burgosur politikë. Mes tyre Maria Kolesnikova dhe Sergei Tikhanovsky.
“Vazhdon të më pyesësh akoma për Marian. Zot i madh”, tha Lukashenko.
“OK, do i përgjigjem pyetjes tënde. Burgu është për njerëzit që e hapin gojën më shumë seç duhet dhe thyen ligjin. A s’keni burgje në Britani dhe Amerikë? Në çdo vend, nëse thyen ligjin, duhet të mbash përgjegjësi. Ligji është strikt, por është ligj. Nuk e shpika unë. Duhet ta zbatosh atë”, shtoi Lukashneko.
Por as gazetari britanik nuk ia la mangët teksa i tha se këta persona janë në burg vetëm se kanë kritikuar atë. Pavarësisht se personazhet kryesore të opozitës nuk ishin lejuar të garonin, emri i Lukashenkos nuk ishte i vetmi në fletët e votimit. Kishte edhe 4 kandidatë të tjerë, por thjesht sa për emër.
Rosenberg i tha udhëheqësit bjellorus se ka folur me disa prej tyre dhe duket se edhe kundërshtarët e tij mbështesin atë, diçka e çuditshme për një gazetar britanik e jo vetëm.
“Steve, kjo është një eksperiencë e re për ty”, tha ai, ndërsa siç thotë vetë Rosenber, gazetarët vendas nisën të qeshnin bashkë me presidentin dhe e duartrokitën.
“Politika e komunistëve e bazuar në drejtësi është e njëjta politikë që promovojmë ne. Prandaj, pse do të votojnë kundër meje”, e pyeti Lukashenko gazetarin.
Zgjedhjet nuk njihen nga SHBA dhe BE. Madje shefja për politikën e huaj të unionit, Kaja Kallas, i ka karakterizuar zgjedhjet si fyerje e hapur ndaj demokracisë. Por kjo nuk i intereson Lukashenkosh.
“Ju betohem. Nuk më intereson aspak nëse i njihni zgjedhjet tona apo jo. Gjëja më e rëndësishme për mua është që populli i Bjellorusisë t’i njohë ato”, tha ai.