Pavarësisht vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, zyra e OSBE/ODIHR-it po bën përgatitjet e fundit për monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Sot në Tiranë, ambasadorja Audrey Glover që është edhe drejtuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve do të zhvillojë një konferencë për shtyp. Ajo do t’i përgjigjet interesit të mediave për hapjen zyrtare të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit në Shqipëri.
“Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve do të jetë në partneritet me një delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës për vëzhgimin dhe lëshimin e një deklarate paraprake mbi gjetjet dhe përfundimet, në ditën pas zgjedhjeve.
Ardhja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve bëhet në bazë të një ftese nga qeveria shqiptare.
Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri veprojnë në mënyrë të ndarë dhe të pavarur, sipas mandateve të tyre”, njofton zyra e shtypit e OSBE-së.