Partizani nuk fal Skënderbeun, merr kreun e superiores

SPORT


Tre gola ndaj Skënderbeut dhe tri pikë për vendin e parë. Partizani nuk mund të gabonte në bonusin që i dhanë rivalët dhe ka mundur pa shumë vështirësi Skënderbeun në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për të kuqtë, të cilët realizuan menjëherë me mbrojtësin Belica. Telushi dyfishoi, kurse Gripshi vetëm sa ndezi shpresat e korçarëve në fundin e pjesës së parë. Çinari mbylli gjithçka me golin e tretë, duke sjellë festë në kampin e kuq.

Me 17 pikë, Partizani i trajnerit Franko Lerda i sheh tashmë të gjithë nga lart. Të kuqtë kryesojnë një pikë para Bylisit pas javës së 9-të dhe fazës së parë të kampionatit. Duket se ka vajtur gjithçka në vendin e vet, pavarësisht atij fillimi me oscilacione të Partizanit. Kampionët në fuqi janë pretendentët kryesorë për titullin dhe pas fazës së parë është vërtetuar se rivalët do ta kenë të vështirë t’ua marrin kurorën.


Kalendari është në favor të Partizanit javët në vazhdim dhe pritet që shumë shpejt të kuqtë të krijojnë edhe shkëputjen në krye të renditjes. Tirana, me humbjen në Ballsh, duket se e ka të vështirë ta thyejë Partizanin, “armikun e përhershëm”.




Skip to toolbar