Doing Business, PD akuza qeverisë. Ministrja: Nuk ka rënie por ndryshim metodologjie

AKTUALITET


Duke iu referuar të dhënave të fundit të raportit Doing Business, PD akuzon qeverinë për rënien me 19 vende krahasuar me një vit më parë, duke u renditur të tretët nga fundi, përsa i përket lehtësirave që ofrohen për të bërë biznes.

“Raporti i Doing Business vazhdon të konfirmojë plagët e thella që ka hapur qeveria prej gjashtë vitesh në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes. Në renditjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor ne gjendemi jo vetëm pas vendeve si Kroacia, Greqia, Qipro, Turqia por edhe pas Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.


Fatkeqësisht ne jemi në vendet e fundit sa i takon pagesës së taksave, fuqisë së kontratave dhe gjithashtu një pozicion jo fort të mirë në nisjen e bizneseve të reja.

Frymëmarrja për biznesin dhe sipërmarrjen vjen vetëm përmes dedikimit për të ndërtuar një ekonomi më të mirë. Taksat e ulëta janë frymëmarrje dhe shpresë për një sipërmarrje më të shëndetshme. Reforma ekonomike është në bazën dhe themelin e qeverisjes së mirë që PD ofron. Një qeveri që për 6 vjet ka dënuar dhe sulmuar sipërmarrjen nuk mund të prodhojë një reformë në ekonomi për të rivitalizuar jetën e secilit prej nesh, për të shpëtuar biznesin dhe nxitur konkurrencën e lirë!”, tha ish deputetja e PD-së, Tabaku.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministres së ekonomisë, Anila Denaj e cila tha se nuk ka regres por ka disa ndryshime që i janë bërë metodologjisë, dhe se rënia është reflektuar edhe në vendet e tjera të rajonit.

“Është e vërtet që sot kemi një ulje të renditjes me 19 vende, e cila po të shikohet edhe në disa vende të tjera të rajonit nuk është se ka qenë shumë optimiste. Kjo nuk na heq absolutisht leximin me vëmendje në raportin doing business dhe në mënyrë absolute kalimi indikator për indikator si mënyra më e mirë për ta lexuar. Ndryshimi i metodologjisë sidomos në dy aspekte të cilët japin një peshë më të madhe elementeve  të ekonomisë dhe sigurisht krijon ndryshim në renditje, por nuk mund të themi se ka regres dhe se nuk është bërë asnjë përpjekje dhe reforma. Ato janë në proces dhe ato finalizohen në të gjithë komponentët si në aspektin e implementimit të sistemeve IT ashtu dhe të procedurave”,- tha Denaj.

Një tjetër argument që ministrja e ekonomisë jep për raportin e të bërit biznes lidhet me lejet e ndërtimit dhe me rritjen e taksës së infrastrukturës nga pushteti vendor.

“Indikator në rënie me impakt negativ është marrja e lejes së ndërtimit, ku metodologjia e ndryshuar nuk konsideron si prioritare faktin që Shqipëria zbaton një proces online të marrjes së lejes së ndërtimit dhe shkurtim efektiv të kohës në marrjen e lejes. Por pesha më e madhe në këtë indikator i është dhënë rritjes së kostos si pasojë e rritjes së taksës në infrastrukturë për pushtetin vendor. Ky ndryshim ndikon”, tha Denaj.




Skip to toolbar