Pelosi: Solidariteti me Tajvanin, më i rëndësishëm se kurrë më parë

BOTA


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Tajvanin, teksa ajo arriti në Tajpei. Vizita e Pelosit në këtë ishull ka përkeqësuar tensionet me Pekinin, që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të Kinës.

Pelosi u mirëprit më 2 gusht në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, dhe Sandra Oudkirk, përfaqësuesja e lartë e SHBA-së në Tajvan.


“Vizita në Tajvan e delegacionit të Kongresit tonë nderon zotimin e palëkundur të Amerikës në mbështetjen e demokracisë së gjallë të Tajvanit”, tha Pelosi me të mbërritur në Tajvan.

“Solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë më parë, teksa bota përballet me zgjedhjen midis autokracisë dhe demokracisë”, shtoi ajo.

Kina menjëherë dënoi vizitën e Pelosit, duke thënë se seriozisht rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit. Ministria e Jashtme kineze përmes një deklarate për media tha se vizita e zyrtares amerikane “do të ketë ndikim të rëndë në raportet Kinë-SHBA dhe cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.

Kina, që e konsideron Tajvanin si një provincë të saj dhe thotë se mund ta aneksojë me forcë nëse është e nevojshme, i sheh kontaktet e zyrtarëve amerikanë me Tajvanin si një përpjekje për të inkurajuar zyrtarizmin e pavarësisë së ishullit.




Skip to toolbar