Pengoi hapjen e qendrave të votimit, pranga të riut në Shkodër

AKTUALITET


Policia në Shkodër ka arrestuar një person për shkak tentoi të pengojë hapjen e qendrave të votimit në Postribë, gjatë ditës së diel. Mësohet se në pranga ka rënë Emrah Shaba.

Familjarët e tij kanë tentuar të pengojnë shoqërimin e tij nga ana e forcave të policisë, kështu që është kërkuar ndërhyrja e FNSH-së.

Pas rezistencës, policia ka mundur të vendosë në pranga të riun, ndërsa vijon puna, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë bashkitë e tjera për të identifikuar, dokumentuar dhe proceduar penalisht penguesit e zgjedhjeve.

Por nga shifrat e publikuara mbrëmjen e së dielës nga prokuroria rezulton se incidentet gjatë procesit zgjedhor numërohen me gishtat e njërës dorë, pasi janë regjistruar vetëm tre procedime penale, me dy persona të arrestuar.

Ngjarja më e rëndë është ajo e mëngjesit të së dielës në Durrës, ku një person u fut në një Qendër Votimi me armë automatike kallashnikov duke dëmtuar materialet zgjedhore dhe kërcënuar komisionerët. Ky person u arrestua në flagrancë, ndërsa akuzohet për disa vepra penale. Edhe në Tiranë është arrestuar një person i akuzuar për veprën penale të “Dëmtimit me dashje të materialit zgjedhor”, mbetur në tentativë.



Skip to toolbar