Petrelë, Veliaj: Përfundojmë edhe 62 shtëpi të tjera. Kanë nisur regjistrimet në kopshtin dhe shkollën e re

AKTUALITET



Një tjetër familje e Tiranës gëzon sot shtëpinë e re falë programit të Rindërtimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi familjen e Nazmije Islamajt me 5 anëtarë në Petrelë, e cila sapo hyri në shtëpinë e re më të fortë dhe me kushte më të mira se ajo që kishin më parë. Kryebashkiaku tha se në Petrelë po vijon puna edhe gjatë ditëve të nxehta të verës për përfundimin e 62 shtëpive të mbetura që u dëmtuan nga tërmeti në Tiranë.

“Kjo punë nuk bëhet pa bashkëpunim. Nëse secili jep një dorë, si shtëpia e Nazmies po ndërtohen edhe 62 shtëpi të tjera. Kushdo që na sheh duhet të kuptojë se ashtu siç u bë kjo shtëpi, do bëhen edhe të tjerat. Shumica e njerëzve do shkojnë për pushime, por ne jemi ajo pakica që do duhet t’i çojë këto punë deri në fund, duke shfrytëzuar kohën tani që rrugët janë të lira, që ka rënë pak fluksi”, u shpreh ai.


Më tej, Veliaj pohoi se kopshtin e ri në Fikas dhe në shkollën moderne në Mangull kanë filluar regjistrimet e fëmijëve, të cilët nuk do të kenë më nevojë të vëjnë vara-vingo me mjete të ndryshme transporti për të shkuar në shkollë.

“Hapja e shkollës së re dhe kopshtit na jep një mundësi që t’u themi banorëve: Për sa kohë që gjithë të pasurit e Tiranës po mundohen të vijnë në Petrelë e në Farkë, nuk ka asnjë sens që fëmijët e Farkës e Petrelës t’i hipin fugonit për të shkuar në Tiranë. Nga kopshti deri në gjimnaz, fëmijët s’kanë nevojë të bëjnë vara-vingo. Do të duhet ta japim këtë mesazh dhe nuk ka nevojë fare që të hyjmë mik për t’i çuar te shkollat e Tiranës e kalamajtë të harxhojnë një orë për të shkuar e një orë për të ardhur, tani që hapen shkollat e reja”, theksoi Veliaj.

Familja Islamaj prej 5 anëtarësh ka hyrë në shtëpinë e re e cila është rindërtuar më e fortë, me materiale cilësore dhe me hapësirë më të madhe e me kushte më të mira se më parë.