Kontrata koncesionare në Porto Romano dhe deklaratat e ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati ka qenë pjesë e debatit të sotëm në studion e emisionit “Real Story” në News24.
Kreu i Grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla përsëriti se ky port i ri ndër të tjera për shkarkimin në Shqipëri të importeve të hidrokarbureve ka impakt të drejtpërdrejt në uljen e çmimit. Ai tha se do të rrisë kapacitetet jo vetëm për Shqipërinë, duke e konsideruar Bushatin të painformuar.
Taulant Balla: Kisha shpresuar nga zoti Lela të bëjë dallimin mes një koncesioni dhe prone private. Bëtë një lapsus.
Alfred Lela: Lapsusin e bëtë ju zoti Balla se thatë do ulet nafta. Unë i besoj traditës jo një fjale.
Taulant Balla: Mund tua rithem dhe njëherë nga fillimi ky port i ri ndër të tjera për shkarkimin në Shqipëri të importeve të hidrokarbureve ka impakt të drejtpërdrejt në uljen e çmimit dhe do ta përsëris.
Alfred Lela: Sa do ulet?
Taulant Balla: Prandaj Shqipëria jashtë këtyre studiove është ndryshe nga si e shikoni ju.
Taulant Balla: Partneritetet Publike Private paraprihen nga studime. Në kapitalizëm shteti nuk investon më për të ndërtuar porte por i jep të drejtën një privati për të investuar, i cili në fund këtë pronë ia jep shtetit. Në Shqipëri deri në inaugurimin e këtij porti nuk hyn anije 100 tonëshe. Rritja e kapaciteteve ka ndikim të drejtpërdrejt në çmim.
Unë jam socialist, ti je liberal. Kush ka të drejtë unë që po them që kjo marrëveshje shtesë kontrate heq një monopol apo kolegu im që thotë të qëndrojë ky monopol. PPP janë e ardhmja e çdo investimi në interes të qytetarëve. Kemi bërë një koncesion për sa i përket dializës. Këtu ka qenë Lulzim Basha para 4 vitesh kur është bërë koncesioni i dializës e tha ne do anulojmë, sot pas 4 vitesh thotë jo nuk do ta anulojmë. Ne jemi konseguentë. Sot nuk jemi për të bërë fushatë. Jemi për të thënë të vërteta. Më vjen keq që z. Bushati ishte i painformuar. Parimet kryesore të një partie social demokrate europiane janë lufta kundër monopoleve.
Ky port i ri në infrastrukturën portuale të vendit tonë do të rrisë kapacitetet jo vetëm për Shqipërinë por gjithë rajonin. Do të jetë një arterie kryesore furnizimi me kapacitet shumë më të mëdha.
Skënder Minxhozi: Çmimi i naftës është më i shtrenjtë se në Kosovë, se në Maqedoni dhe ka ardhur koha të ulet.
Taulant Balla: Çmimi ka disa faktorë, një nga këta është edhe transporti.
