Rama-biznesit: Regjistrohuni e jepni kupon, shmangni pasojat ligjore

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje bizneseve të regjistrohen për të ushtruar aktivitetin në mënyrë të ligjshme, duke shmangur pasojat e rënda ligjore. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka përsëritur thirrjen për të gjithë bizneset që të regjistrohen dhe të lëshojnë kuponin tatimor. “Vijon në të gjithë territorin kontrolli dhe bllokimi i subjekteve abuzuese. Regjistrohuni dhe lëshoni kuponin, sepse pasojat ligjore janë të rënda. Zero tolerancë”, shkruan Edi Rama në Facebook.

Pak ditë më parë, Drejtoria e Tatimeve me mbështetje direkte të qeverisë nisi aksionin për kontrollin e bizneseve në vend. Ky aksion ka si qëllim sensibilizimin e bizneseve për të punuar brenda rregullave ligjore. Deri më tani është bërë bllokimi i dhjetra bizneseve, kryesisht bare, restorante, hotele apo shtëpi pushimi në zonat bregdetare të vendit.


 Më herët gjatë të dielës, ministrja e financave, Anila Denaj zhvilloi një inspektim në disa biznese në Vlorë, kohë gjatë së cilës u bë dhe bllokimi si dhe gjobitja e një biznesi. “Kemi inspektuar gjithë zonën e bregdetit deri në Orikum dhe do të vazhdojmë me verifikimet. Shpresoj që të kemi rritur ndërgjegjësimin e bizneseve dhe për këtë flasin edhe shifrat. Sikundër e kemi nënvizuar gjithmonë qëllimi ynë nuk është vetëm kryerja e verifikimeve në terren, por edhe ndërgjegjësimi. Përgjegjësia e biznesit është përgjegjësia e kërkuar për të respektuar ligjin dhe për të qenë në mbrojtje të konsumatorit”, tha ministrja Denaj.




Skip to toolbar