Rama: Fitojmë bindshëm më 14 Maj

Më të fundit


Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama pati një prononcim për gazetarët duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Kreu i socialistëve tha se mendon se do të fitojnë shumë bindshëm në zgjedhjet e 14 Majit. Megjithatë ai u shpreh se PS duhet të shkojë përtej fitores aritmetike sepse po hyjnë në një garë me kundërshtarë që nuk janë në lartësinë e duhur duke shtuar se madje “janë deri dhe të padenjë”.

“Mendoj që do fitojmë shumë bindshëm. Por për hir të së vërtetës dua të jem shumë i drejtpërdrejtë me ju, fitorja kur ke përballë kundërshtarë të tillë në aspektin aritmetik është minimumi. Ne duhet të shkojmë përtej fitores aritmetike sepse të hysh në fushë me kundërshtarë që nuk janë në lartësinë e duhur dhe janë deri dhe të padenjë për të qenë në fushë nuk është e vështirë të fitosh. Çështja është të shkosh përtej fitores aritmetike. Edhe kjo do të thotë më shumë me njerëzit, më shumë për njerëzit sepse këto lloj situatash rrezikojnë të të shkëpusin nga njerëzit sepse kur vjen puna te fitorja aritmetike nuk ka asnjëherë një fitore të lehtë, gjërat nuk janë aq të vështira saç janë kur duhet të merresh me pagat, me mbështetjen më shumë për pensionistë, profesionistë, kur duhet të merresh me investimet etj. Kjo është sfida ku ne duhet të përqendrohemi shumë më tepër ndërsa politikën e “gërr gërr gërr, gërr, gërr, gërreve”, duhet t’ia lemë të shkuarës”, u shpreh Rama.


Kryetari i PS-së tha se selia rozë në linja të përgjithshme e ka një panoramë të skuadrës së saj për kryetarë bashkie, por kjo do të zyrtarizohet para regjistrimit zyrtar të tyre në KQZ.

“Pak a shumë po, aty ku faktikisht ka pasur dakordësi dhe ka pasur si t thuash sinkronizim rreth kandidatëve t caktuar që janë aktualisht kryetarë bashkie ka vazhduar natyrshëm procesi. Zyrtarizimi përfundimtar do të bëhet si gjithmonë para se kandidatët të regjistrohen zyrtarisht, por pak a shumë jemi në linja të përgjithshme, e dimë se cila do të jetë skuadra e kryetarëve të bashkive”.




Skip to toolbar