Atë që duhej ta kishte bërë, të paktën një ditë para se të nxirrte dekretin e famshëm me të cilin anuloi zgjedhjet, presidenti Ilir Meta e bëri të mërkurën në mbrëmje, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai i dërgoi ftesë kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së për një takim në presidencë. Një takim ky i munguar prej shumë kohësh. Një nismë që kreu i shtetit duhej ta kishte marrë të paktën një muaj më herët, para se të niste zyrtarisht fushata zgjedhore.
Por edhe ftesa drejtuar kryeministrit kishte brenda nota ironie. Presidenti e ftonte Ramën që të shkonte në zyrë nga ora 5 e mëngjesit të ditës së enjte deri në orën 13.00. Orar ky disi i pazakontë për takime zyrtare. Kryeministri e refuzoi ftesën duke i thënë se 4 ditë para zgjedhjeve ai ndodhet në kulmin e fushatës zgjedhore.
Megjithatë, presidenti sot ka çelur dyert e presidencës që në orën 5:00 të mëngjesit. Madje gjithë stafin e tij e ka nxjerrë nga shtëpitë që pa gdhirë. Por nuk dihet pse ka shkuar kaq herët përderisa Rama i tha se nuk do të shkonte në takim. Ndoshta Meta shpreson se ai do të ndërrojë mendje? Apo ndoshta po përgatitet për takimin me Bashën në orën 9.00. Ai e ka pranuar ftesën e kreut të shtetit, megjithëse bashkë kanë pasur shumë takime informale.
Këto akte tregojnë se kreu i shtetit ndodhet në një pozitë shumë të vështirë. Fakti se dekreti i tij u cilësua nul nga Kolegji Zgjedhor, fakti se KQZ po ecën drejt zgjedhjeve të 30 qershorit, në kushtet kur maxhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e tij si president, por edhe i lënë vetëm nga faktori ndërkombëtar, kanë bërë që Meta të nisë të mendojë se çfarë do të ndodhë pas datës 30?
Kur zgjedhjet të njihen nga të gjithë, sa legjitim do të jetë ai si president që i anuloi ato? Ndoshta një takim mes tij dhe Ramës ishte përpjekja e fundit e tij për të arritur një kompromis, që mesa duket do të mungojë, të paktën para 30 qershorit. Pas kësaj date gjithçka është e mundur./realstory.al